Ide/Beteja për imazh
Republika sovrane e Kosovës tashmë ka miratuar kushtetutën moderne të saj, ka themeluar institucionet e pavarura dhe demokratike, ka ofruar legjislacion të harmonizuar me BE-në dhe ka ftuar një mision të saj për këshillim dhe monitorim në dy fusha: atë të drejtësisë dhe të sigurisë. Përveç kësaj, ka zgjeruar partneritetin me demokracitë europiane dhe me atë amerikane. Këto janë njëkohësisht edhe mundësi të cilat shteti i ri i ka për të ofruar shembullin e funksionimit të demokracisë. Por, ngjarjet e fundit në Mitrovicë dëshmuan, megjithatë, mungesën e ligjit dhe të rendit në pjesën veriore të shtetit të Kosovës. Pse ndodh kështu? Për shkak të relacioneve pothuajse të rrënuara etnike? Për shkak të ndikimit politik nga Beogradi? Apo, për shkak të transicionit UNMIK-EULEX? Mbase. Por, sikur dëshmuan edhe përfundimet nga takimi i krerëve të institucioneve të republikës me përfaqësuesit e sigurisë, vendosmëria, preventiva dhe koordinimi, si dhe krijimi i mekanizmave efikasë për qytetarin dhe jo për përkatësinë, për lirinë e tij dhe jo për “të drejtën” e tij për të thyer rendin, janë çelësi për veriun. Le të kujtojmë tani një aksiomë: funksionimi i demokracisë, i ndërlidhur me zinxhirin e përdorimit të mekanizmave ligjorë e kushtetues për të garantuar të drejtën e qytetarit të vendit, mund të jetë i plotë nëse vullneti për të respektuar lirinë individuale dhe kolektive vihet në peshojë me gatishmërinë për t’i mbrojtur këto të drejta në interes të të gjithë qytetarëve të vendit. UNMIK-un e ka përcjellë në vazhdimësi një molepsje e qytetarëve të Kosovës nga frika e pasigurisë për integritetin territorial të shtetit të ri, si dhe për mungesën e vullnetit për të krijuar rend dhe ligj për të gjithë qytetarët e vendit. A po vazhdon loja? Pra, a mund të pajtohet me këtë imazh për veten e tij misioni i Bashkimit Europian, EULEX? Mendoj se jo. A është koha që imazhi të ndërtohet tani? Mendoj se po. Por, si të krijohet ai? Mbi të gjitha, duke e kërkuar me ngulm profilin e një misioni veprues, i cili është ftuar nga institucionet e shtetit sovran të Kosovës për të ndihmuar qeverisjen në dy fusha sensitive dhe i cili, duke qenë se është mision i bashkësisë së aspiruar europiane, përmes respektimit të mekanizmave ligjorë do të ndihmojë në krijimin e një realiteti në të cilin do të mbisundojnë ligjshmëria dhe parimet e vlerat morale, natyrisht duke i respektuar liritë individuale dhe ato kolektive. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një mision funksional të BE-së, madje ky synim nuk ndërlidhet aspak vetëm me veriun, megjithëse rastisi që aty të fillonte testi i vërtetë për të. Koordinimi me institucionet e republikës sovrane është i domosdoshëm, për të përcjellë vullnetin qytetar për ligjshmëri të aplikuar si normë. Takimi i krerëve të institucioneve me përfaqësuesit e sigurisë shkoi edhe më tutje: ai ritheksoi mungesën e preventivës, që nënkupton lodhjen nga “prania e padukshme”. EULEX-i duhet të bëhet i dukshëm. Ky është vullnet i qytetarit të Kosovës, imazhvlerësuesit të parë dhe të vetëm real të funksionimit të misionit të ri. (Autori eshte zedhenes i LDK-se)
...