Greqia jashtë euros më reale, rrezik reaksioni zinxhir
Skenari i daljes së Greqisë nga eurozona po bëhet gjithnjë e më i besueshëm, me deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, që sinjalizojnë largimin e vëmendjes prej Greqisë, në përpjekjet për të shpëtuar të tjerët në kohë. Kriza e borxhit brenda eurozonës, e nisur në Greqi në vitin 2008, ka krijuar tashmë reaksionin zinxhir me vende të tjera që kanë kërkuar huandihme, si Portugalia apo Islanda, por më problematiket deri tani janë Spanja dhe Italia. Nëse këto të fundit mbërthehen nga një krizë si ajo e Greqisë, nuk ka gjasa që të mund të shpëtohen, janë tepër të mëdha për tu përballuar nga fondi i BEsë. Por për Greqinë duket se edhe zyrtarët e lartë janë lodhur së provuari shpëtimin. Edhe pse askush prej tyre nuk ka deklaruar zyrtarisht se mbështet daljen e Greqisë, energjia në deklaratat se vendi nuk ka për të dalë nga eurozona është shuar. Jo më larg se nëntë ditë më parë, kreu i Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, tha se nuk do të lejohet dalja e Greqisë nga eurozona. Ndërkohë që në një intervistë të fundit dhënë për agjencisë gjermane WDR, ai tha se në situatën aktuale dalja e Greqisë nga eurozona do të ishte e menaxhueshme, por jo e dëshirueshme. Ai ka theksuar se dalja e Greqisë nga euro do të sjellë rreziqe të mëdha, veçanërisht për njerëzit e zakonshëm në Greqi. Por kur u pyet nëse e përjashton kategorikisht daljen e Greqisë nga euro, ai tha: Të paktën deri në fund të vjeshtës… por edhe më vonë. Xhunker ka në plan një vizitë në Athinë më 22 gusht, ku do të takojë Kryeministrin grek, Antonis Samaras. Greqia ka marrë deri tani dy paketa ndihme nga kreditorët ndërkombëtarë (BQE, FMN, KE), por nuk ka zbatuar reformat për të cilat ka rënë dakord, duke e rritur perspektivën e daljes nga eurozona. Analistët kanë paralajmëruar se dalja e vendit nga eurozona do ta dëmtonte ekonominë greke për shumë vite dhe do të krijonte panik në tregje, duke rrezikuar edhe vende të tjera europiane të përfshira në krizën e borxhit.