Gazsjellësi, Prifti nënshkruan memorandumin për projektin TAP
Projekti për gazsjellësin transadriatik ka kaluar në një tjetër stad të tij përmes nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes palëve të përfshira. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, së bashku me përfaqësuesit e “Trans Adriatic Pipeline AG”, Thomas J Dimitroff dhe Lars Kronstadt kanë “ndarë” dje detyrat që do të çojnë në finalizimin e plotë të projektit 2 miliardë euro. Ajo që është konsideruar si e rëndësishme është përmbushja sa më shpejt e gjithë këtyre detyrimeve, në mënyrë që ky projekt ambicioz të gjejë zbatim shpejt. Gazsjellësi vlerësohet si i një rëndësie të lartë strategjike në furnizimin e Shqipërisë me gaz, por edhe për të qenë një vend i sigurt për Bashkimin Evropian. Memorandumi i mirëkuptimit në detaje garanton se bashkëpunimi do të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, në përputhje me sigurinë shëndetësore ndërkombëtare, sigurinë e punës, mjedisit dhe standardeve të tjera teknike. Projekti i referohet marrëveshjes ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, e lidhur një vit më parë, më 10 mars 2009, për integrimin e sistemit të tyre të gazit natyral, ndërkohë që në të përfshihen tri shtete. Në vijim të kësaj Ministria e Ekonomisë, së bashku me institucionet e Republikës Greke dhe Republikës Italiane, do të ndërmarrin hapa për të ngritur një komision trelateral ndërqeveritar, i cili do të shërbejë si një forum i përbashkët i këtyre shteteve sovrane për të arritur në realizimin e projektit TAP. Po kështu theksohet se, në mënyrë që të mbështeten investimet dhe financimet e kërkuara për projektin TAP, palët njohin se është e domosdoshme një marrëveshje ndërqeveritare mes tri vendeve të përfshira. Procesi i zhvillimit dhe diskutimit të marrëveshjes ndërqeveritare do të mbështetet nga personeli i TAP AG. Memorandumi parashikon edhe ngritjen e “infrastrukturës” së nevojshme për të zbatuar projektin, duke përfshirë këtu marrëveshje, krijimin e komiteteve ndërqeveritare, përcaktimi i saktë i prioriteteve. Duke pasur parasysh se investimi përfundimtar lidhur me projektin TAP parashikohet në vitin 2011, palët angazhohen të punojnë së bashku në të ardhmen, në mënyrë që ky afat i parashikuar të respektohet.