E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligori: Hyra në grevë pa i thënë as bashkëshortit



Aristir Lumezi

Deputetja e Elbasanit, Shega Ligori, e cila ndodhet në grevë urie që prej 18 ditësh, shprehu dje keqardhje për cini-zmin e përdorur nga deputetet e PD-së ndaj sakrificës së tyre.Dje paradite, para se të dilte nga greva e urisë, ajo u shpreh për “Panorama” se vendimin e mori në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të plotë, madje pa u konsultuar as me bashkëshortin.
U bënë 17 ditë nga dita që ju hytë në këtë grevë urie. Ditën e parë që morët vendimin, e kishit menduar se greva do të zgjaste kaq shumë dhe se do duhej kaq shumë sakrificë?
është e vërtetë, madje ju thatë 17 ditë, në fakt sot është dita e 18 e grevës. Jo, vendimin e morëm në mbledhjen e grupit parlamentar, pas asaj proteste madhështore që organizoi opozita për të drejtën e votës, dhe realisht nuk jam menduar dy herë. Vendimin e mora me zemër dhe e bindur se kjo është rruga e duhur ndaj një pushteti të shurdhër. Me mjete demokratike s’ke mjete të tjera proteste. ç’është e vërteta nuk e dija sa do zgjaste greva, por mendova se do të rri në atë grevë me mendje dhe me shpirt deri në limitet e mia fizike dhe sinqerisht, nuk e dija sa ishin. Sinqerisht dhe me ndihmën e serumeve, po tejkalojmë veten.
Gjatë kohës që ju jeni brenda në çadrën e grevës, ka pasur kërkesa ndaj jush nga ana e maxhorancës që ju, femrat greviste, të dilni dhe të lini grevën. Si jeni ndjerë ndaj këtyre komenteve dhe thirrjeve?
E para, jam ndjerë keq por jo për veten time, por për ta. Jam ndjerë keq për cinizmin e tyre, sepse mendoj se njeriu e krijon vetë personalitetin e tij politik. Ne nuk mund të jemi kukulla të liderit, ato mua më duken si ato katjushkat ruse dhe unë mendoj se njeriu duhet të hyjë në politikë me fizionominë e vet dhe të krijojë fizionominë e vet pak e nga pak, duke u rritur. Mendoj se edhe në politikë, ashtu si dhe në çdo fushë tjetër të jetës, nuk ka ndarje burrë-grua, deri sa kemi zgjedhur të bëjmë një zanat që është i vështirë, pra politikanin, i kemi marrë parasysh të gjitha. Unë përfaqësoj qytetarët e Elbasanit dhe nuk mund të mos isha këtu si përfaqësuese e tyre në këtë pikëpamje. Ndërsa sa u përket fjalimeve vulgare, unë them se çdo njeri tregon karakterin e vet dhe ne nuk na bëjnë asgjë, përveçse na lartësojnë. Dhe në këtë pikëpamje unë nuk dua t’i komentoj dhe i injoroj.
Familjarët tuaj shprehin patjetër shqetësim për gjendjen shëndetësore. Si po e përjetojnë ata këtë situatë?
E thashë se vendimi për të hyrë në këtë grevë u mor nga unë personalisht dhe nuk pata mundësi për shkak të kohës fizike të konsultohesha dhe me bashkëshortin dhe as me familjen time. Gjatë gjithë jetës sime i kam pasur mbështetje dhe s’kisha asnjë dyshim se dhe kësaj radhe ata do më mbështesnin. Unë jam nënë e dy fëmijëve dhe më ka ardhur në ndihmë mamaja ime, edhe familja e vëllait, po kalon një sakrificë me këtë rast, ndërsa unë jam e qetë se për fëmijët po kujdeset mamaja ime, ndërsa ata shqetësohen për shëndetin tim. Por unë ndjej shumë mbështetje prej tyre.
Ditët e fundit ka pasur një rëndim të përgjithshëm të gjendjes shëndetësore të grevistëve. Jeni prekur nga ndjenja e frikës?
Jo, absolutisht. Rëndim të gjendjes shëndetësore ka nga të gjithë dhe dje shkova në infermieri për të marrë një serum dhe atje shtretërit janë të zënë të gjithë. Situata është e agravuar. U preka në fakt, më shpëtuan dy pika lot, sepse jua thashë se jemi bërë si një familje e madhe. Kjo nuk është dobësi, por një ndjenjë e natyrshme nga secili prej nesh, për një situatë që mund të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Nuk kemi merak për shëndetin tonë, sepse ekipi mjekësor pranë nesh është shumë i kujdesshëm. Përfitoj nga rasti t’i them zotit Kryeministër që të mos shqetësohet fare për ne, jemi nën kujdes absolut të mjekëve. Por zoti Kryeministër ka halle të tjera, por edhe ato halle si mjek ai mund t’i verifikojë kollaj nga ato 50 grevistë që kanë dalë. Madje kur unë të shkoj në spital nga kjo grevë, do ofrohem e gatshme që të më bëjnë të gjitha analizat e nevojshme që të kuptojnë se këtu nuk të mban ushqimi fizik, por ai shpirtëror.
Ju gjatë këtyre ditëve të ngujimit keni marrë shumë mesazhe, buqeta, letra, në një masë të pazakontë, cili ka qenë mesazhi që ju ka lënë mbresa?
është e vërtetë, këtu kanë mbërritur mesazhe pa fund, edhe nga njerëz që nuk i njohim. Madje sot kam marrë mesazh të ri, është një zonjë që më thotë: “Shegë, ju po bëni gjithçka për ne, dhe unë bashkë me nipin dhe vëllain tim jam gati të hyj”. Po ashtu dhe nga Zamira Durda, nëna që humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit, më thotë: “Unë dua të të zëvendësoj kur ti të dalësh”. Janë me qindra mesazhe solidariteti që edhe tani më bëjnë të rrënqethem nga ajo mbështetje që përcjellin.

Elsa Lila në infermieri

Këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë, Elsa Lila, e cila që prej 10 ditësh është në grevë urie në çadrën para Kryeministrisë, prej dy ditësh është në monitorim të rreptë. Ajo ka shfaqur luhatje të forta të tensionit, ndërsa ka qenë vazhdimisht në ambientet e infermierisë duke marrë serum dhe me lëvizje të kufizuara në ambientet e çadrës. Mjekët shprehen se gjendja e saj shëndetësore kërkon kontroll të vazhdueshëm, ndërsa sipas tyre, Elsa ka moral të fortë dhe kërkon të vazhdojë të qëndrojë në çadër. Ditët e fundit është shtuar numri i grevistëve që marrin serum, ndërsa kontrolli mjekësor i tyre bëhet disa herë në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›