E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Referendumi për rishikimin e Kushtetutës, pas miratimit me shumicë të cilësuar në Kuvend

KSHH shpreh shqetësim në lidhje me faktin se ligji i ri për referendumet po zvarritet prej vitesh. Ata theksojnë se nisma e mazhorancës për referendum bëhet vetëm bazuar në nenin 177 të Kushtetutës, që thekson se amendimet duhet të miratohen më parë në Kuvend me shumicë të cilësuar

Pavarësisht debateve të zjarrta të këtyre ditëve për çështjet e referendumeve, një problem shumë i madh është edhe fakti se në Shqipëri nuk ka një ligj të ri për referendumet, edhe pse Kodi Zgjedhor është amenduar disa herë. Puna e ligjit për referendumet është lënë në harresë duke sjellë paqartësi dhe pengesa të shumta.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

KSHH shpreh jo vetëm keqardhjen por edhe shqetësimin që edhe mbas Dhjetorit 2008, kur u miratua Kodi i ri Zgjedhor, ligji i ri Për referendumet ende nuk është miratuar. Në nenin 185, pika 2 të këtij Kodi thuhet se, pjesa e nëntë (referendumet) e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 të ndryshuar mbetet në fuqi deri në miratimin e ligjit të ri Për Referendumet e Përgjithshme dhe Vendore.

Edhe pse në dispozitën e mësipërme për miratimin e këtij ligji nuk u caktua ndonjë afat, KSHH, duke pasur parasysh rëndësinë e veçantë të tij, mendon se, një vonesë e tillë nuk është e justifikueshme.

KShH arrin në këtë përfundim, sidomos edhe për faktin se, qysh në vitin 2004, Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i, lidhur me dispozitat për referendumet të përfshira në Kodin Zgjedhor të vitit 2003 kanë bërë jo vetëm vërejtje serioze por kanë parashtruar edhe 5 rekomandime të rëndësishme që do ti shërbenin përmirësimit të këtij ligji, thuhet në njoftimin e KSHH.

KSHH konstaton se, qysh nga viti 2004 dhe deri më sot, ndërsa Kodi Zgjedhor është ndryshuar disa herë, asnjë dispozitë për referendumet nuk është rishikuar, vijon njoftimi i KSHH.

Ata theksojnë se e kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me këtë çështje pranë institucioneve, por nuk kanë marrë një përgjigje.

Në njoftim thuhet edhe se referendumet për rishikimin e Kushtetutës rregullohen nga neni 177 i Kushtetutës, që parashikon votimin në Kuvend me shumicë të cilësuar dhe më pas votimin nga populli.

E shikojmë të nevojshme të theksojmë se, në nenin 185 pika 2 të Kodit Zgjedhor bëhet fjalë vetëm për miratimin e një ligji të ri Për Referendumet e Përgjithshme dhe ato Vendore sepse çdo nisëm për rishikim të Kushtetutës, ku përfshihet edhe ratifikimi i tyre me referendum mbështetet në nenin 177 të Kushtetutës. Në këtë drejtim është shprehur në vendimin e saj nr.23, datë 24.07.2009 edhe Gjykata Kushtetuese.

Për KSHH-në, miratimi i ligjit të ri, sidomos Për referendumet e përgjithshme dhe ato vendore, do të krijonte mundësi reale për zbatimin në praktikë të një prej parimeve themelore kushtetuese: E drejta e popullit për të ushtruar sovranitetin e tij edhe drejtpërsëdrejti.

Për KShH-në, vonesa për miratimin në ligjin Për referendumet ka ndikuar negativisht në zhvillimin e tyre sepse nismëtarët janë ndeshur me vështirësi, paqartësi dhe keqinterpretime të ligjit edhe nga KQZ-ja. Në fakt, dështimi i këtij apo atij referendumi të nevojshëm dhe të ligjshëm mund të dekurajonte jo vetëm nismëtarët e tyre por sidomos mijëra mbështetës nënshkrues të formularëve tip përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›