Gazsjellësi TAP fut Shqipëria në një hartë më të sigurt gjeopolitike për investimet e huaja

Furnizimi me gaz i tregut europian, duke mundësuar kalimin e tij nga vendi ynë, sjell një sërë përfitimesh edhe për Shqipërisë
Buxheti i shtetit, biznesi dhe vetë qytetarët do të jenë përfitues direkt i projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Ky projekt do tranzitojë gazin nga Greqia, Shqipëria dhe përfundon në Itali me një gjatësi rreth 520 km.
Dorian Duçka, drejtor i Menaxhimit të Projekteve të Mëdha të Gazit, pranë ministrisë së Ekonomisë tregon përfitimet që do ketë Shqipëria nga tranzitimi i këtij gazsjellësi.
“Ne jemi duke negociuar mënyrën se si do të përfitojmë nga taksat tranzitore. Për çdo kalim, do të gjendet një formulë, e cila do ti shpërblejë Shqipërinë edhe publikun shqiptar, sidomos ata te të cilët kalon ky gazsjellës, për të përfituar nga ajo çfarë u takon realisht për të marrë”, shprehet Duçka.
Shqipëria po negocion me konsorciumin e projektit Trans-Adriatik për tu furnizuar nga ky tubacion me gaz për nevojat e veta. Duçka sqaron se METE po harton një masterplan për gazifikimin e Shqipërisë.
Gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline (TAP) është një projekt i fuqishëm energjetik që pritet të jetë një burim i fortë për ekonominë shqiptare dhe zgjon premisat për thithjen e investimeve të huaja nga kompani serioze botërore.
“Benefitet do të jenë të shumta. Do të kemi vendosjen e kompanive gjigande energjetike në vendin tonë dhe kjo i sjell një vlerë të shtuar për investitorë të tjerë të huaj dhe e vendos Shqipërinë në një hartë më të sigurt politike për investimet e huaja”, shprehet Duçka.
Toka në të cilën kalon projekti prej më shumë se 140 km në Shqipëri, do të shpronësohet ose paguhet qira si për privatin edhe atë shtetëror.
Duçka qartëson se ka një marrëveshje mes konsorciumit TAP dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për përdorimin me qira të tokës, ku do të kalojë gjurma e këtij gazsjellësi.
Ndërtimi i këtij gazsjellësit pritet të sjellë rreth 1 miliardë euro investime të huaja në Shqipëri. Në këtë projekt pritet të hapen rreth 3 mijë vende të reja pune, të rehabilitohen 200 km rrugë dhe të ndërtohen 100 km rrugë e re.