“Energjia e rinovueshme, prioritet madhor i ekzekutivit”

Suzana Guxholli: “Viti 2012 i vështirë, por qeveria do reagojë ndaj çdo risku”
Suzana Guxholli, këshilltarja e Kryeministrit për Ekonominë, shprehet se, pavarësisht treguesve që e rendisin këtë vit si të vështirë ekonomikisht, qeveria do i përgjigjet me efikasitet. Ajo tha se, me rëndësi është mbajtja nën kontroll e situatës, ndërsa vlerëson se Shqipëria nuk u përfshi në vorbullën e krizës që preku shumë vende të Europës, madje arriti të sigurojë benefite nga situata e fqinjëve me transfertat e llogarive bankare dhe përthithjen e investimeve të emigrantëve dhe burimeve njerëzore që po implementojnë në vend.
“Do jetë një vit i vështirë, kërkon një menaxhim të mirë për mbajtjen në kontroll të borxhit publik. Patjetër që kemi ndjerë goditjet e krizës, nuk veprojmë të izoluar, por nuk u përfshimë në epideminë e krizës si vendet e tjera falë reformave dhe mënyrës së zhvillimit të ekonomisë si taksat e ulëta, rritja e pagave, lehtësirat në biznes, shërbimet elektronike. Gjithë ky model rezultoi i suksesshëm dhe ne ishim të vaksinuar në momentin e ardhjes së krizës pa rënë në recension, u zvogëlua rritja ekonomike, por vazhdoi të ketë rritje. Kriza në fqinjësi ka ndikimet e saj me rënien e remitancave por që nuk dhanë ndikime direkte. Kriza në Greqi e shkatërroi atë, po pati pasoja pozitive tek ne me transferimin e kredive bankare dhe solli dhe asetet dhe burimet njerëzore që po investojnë këtu me kthimin e emigrantëve. Shqipëria shihet si një mundësi zgjerimi dhe zhvillimi”, u shpreh ajo.
Guxholli foli edhe për modelin e ekonomisë shqiptare, si një shembull i mirë për të tërhequr më shumë investime të huaja në vendin tone, ku theksoi se është katërfishuar numri i investitorëve të huaj në katër vitet e fundit.
“Qeveria ka pasur në vëmendje biznesin privat, për ta nxitur që të mëshirojë projektet e tij. Ajo tërhoqi vëmendjen jo vetëm të investitorëve të brendshëm, por dhe atyre të huaj, një histori suksesi mbetet sektori i energjisë, sidomos i atij ujor. Me modelin e saj ekonomik zhvilloi infrastrukturën. Paratë publike u përqendruan në zhvillimin e infrastrukturës në këto vite. U mbarua faza e parë e reformave, duke e ngritur Shqipërinë në nivel ndërkombëtar, kemi 4 fishim të investimeve të huaja dhe thithje e kompanive me emër. Reformat do kalojnë në fazën e dytë të zhvillimit, ku do të diskutohet me biznesin lidhur me impaktin që kanë pasur reformat e ndërmarra”, theksoi Guxholli.
Duke mbetur tek historia e suksesit të kësaj qeverie, Guxholli tha se prioritet mbetet energjia e rinovueshme, madje do të aprovohet edhe sistemi ligjor për të. Ajo shtoi gjithashtu se vënia në prodhim e 46 hidrocentraleve të vogla në kushtet e një situate ekonomike jostabile në Europë, është dëshmi e ndjekjes së politikave të duhura, ndërsa shtoi se qëllimi parësor mbetet të kalohet mbi mbulimin e nevojave të brendshme, për të synuar eksport të energjisë elektrike.
“Energjia është forca lëvizëse e të gjitha fushave, prandaj dhe për qeverinë kjo mbetët përparësi e të gjitha përparësive. Puna ka filluar prej kohësh, ligji i koncesionit ishte rast suksesi, është ndihmuar dhe nga infrastruktura. Të zhvillosh energjinë e rinovueshme është proces i gjatë. Të gjithë hapat janë sekuence, për të lehtësuar procedurat u krijuan shërbimet me një ndalesë, qeveria po ndërmerr një tjetër paketë lehtësuese për dokumentet. Janë 46 hidrocentrale të vogla që kanë filluar të prodhojnë. Kriza që ka mbërthyer mbarë botën bëri që burimet të ngadalësohen ose ndërpriten, 46 hidrocentrale janë dëshmi suksesi. Zgjidhim problemin e energjisë për konsum të brendshëm, por presim dhe të eksportojmë, të ndihmuar dhe nga impiantet e erës, pasi kemi dhe platforma të mira ere. Do të sjellim për aprovim ligjin për energjinë e rinovueshme”,theksoi ajo. Sa i përket akuzave të opozitës për dështim në këtë inisiativë, Guxholli tha se ata nuk duan ta pranojnë faktin se Shqipëria është një vend i sigurt për financuesit, duke i quajtur absurde dhe qesharake.