Veliaj i lutet Edi Ramës në tuiter që t’ia privatizojë “Re:fresh”-in
Erjon Veliaj i kërkon Edi Ramës që të shkruajë një lajm të orës fundit në rrjetin social “twitter” për të thënë se sot nis fushata e zgjedhjeve brenda “Re:Freshit”, forumi rinor eurosocialist në gjimnaze, universitete e komunitete. Po edhe komunitetin “rozë”, sipas formulës homoseksuale të revistës britanike “Re:Fresh”. Sidozot sekretari për rininë në kryesinë socialiste, Erjon Veliaj po shkartis rioshët në forumin rinor eurosocialist me të njëjtën formulë shfaktorizuese që përdori Edi Rama për grupin parlamentar, Blushi nga Korça u “internua” në Elbasan; i pabinduri Braçe nga Berati u spostua formalisht në Korçë; Malaj nga Vlora shkoi me qejf të pa masë në Kukës, e kështu me radhë. Gjoja lëvizjet u miratuan sepse në këtë mënyrë programi i PS do të reflektohej e përtypej më mirë në bazë. Në vërtetë ishte lëvizja e radhës e Ramës për t’i pasur deputetët në kontroll të plot psiko-politik.
Kuptohet vetiu Veliaj po kërkon të imponojë këtë model në forum për të pasur edhe ai kontroll të plotë në karrierën e çdo të riu që angazhohet në politikën e majtë. Është modeli i organizatës “Mjaft” që po implementohet deri në detaje në FRESH. Me zgjedhjet e pilotuara brenda forumit Veliaj po shpejton me ritme të frikshme një terapi elektroshoku politik tek të rinjtë socialistë, duke u premtuar një karrierë të rrufeshme. Sigurisht atyre rioshëve socialistë nuk u flet për Qemal Stafën apo Vasil Shanton, por u predikon ngjitjen personale në sekretarinë rinore të PS.
Mirëpo modeli Veliaj është modeli i shthurur i ngjitjes sociale, pasi bazohet jo tek meritokracia, por tek afërsia oportuniste me liderin. Me një karrierë të rrufeshme brenda PS-së, Veliaj ka arritur majat më shpejt se cilido tjetër, edhe pse pa merita dhe kontribute cilësore në forumet dhe strukturat e kësaj organizate politike. Sigurisht afërsia oportuniste me kryetarin e sotëm të PS-së ka qenë një faktor determinant në karrierën e këtij politikani, domethënë në djegien e të gjitha etapave të mundshme, pa fituar qoftë dhe një herë me votë postin që ka merituar. Ky është modeli për të rinjtë? Sepse Veliaj në krye të organizatës rinore “Mjaft” u komandua prej bamirësve të jashtëm dhe të brendshëm. Dhe në krye të partiçkës politike “G99” u vetë emërua kryetar, pasi u udhëzua të formëzonte lëvizjen rinore me jeniçerët 99-sh në një kontenitor politik të dukshëm mediatikisht, me synimin e interceptimit të disa votave rrjedhëse të PS-së dhe të zhvaste ca vota që shkonin drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky truk prestigjiatorësh përfundoi me një dështim për t’u mbajtur mend. Gjithsesi, një përkufizim më të saktë e pati shkruar në një kabllogram diplomatik ish-ambasadori amerikan, i cili thoshte se Veliaj është “qen sulmi”. Dhe se “Rama përdor shpesh Veliajn për të kaluar mesazhe tek ambasadat” siç u konfirmua të ishte në rastin e dërgimit të letrës elektronike me gjak në “çështjen Griselda”. Veliaj ka vërtetuar jo një herë se është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të kapur levat e pushtetit.
Sido që të jetë fushata zgjedhore brenda forumit eurosocialist do të jetë një farsë pasi çdo gjë është vendosur paraprakisht. Forumi Eurosocialist do të jetë një levë presioni ndaj gardës së xhaketave të vjetra në PS. Këtyre të fundit do t’u thuhet hapni rrugë për më të rinjtë në parti, një gjeneratë pa kujtesë politike do të drejtojë partinë. Me këtë lëvizje Rama dhe Veliaj do të privatizojnë çdo qelizë të PS, duke hipotekuar një mbështetje pa arsye për çdo sipërmarrje radikale politike.