E Shtunë, 31 Tetor 2026

GëZUAR PAVARëSINë!

Ndihem shumë i nderuar, por edhe shumë i emocionuar të flas, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, për të përshëndetur dhe festuar përvjetorin e parë historik të Republikës së Kosovës. Një vit më parë, të dashur miq, ne u bëmë dëshmitarët e një lindje të madhe historike. Në një nga rajonet më të trazuara të Evropës demokratike, në hapësirën ku kishin marrë shkëndijë dy Luftërat më të Mëdha Botërore të civilizimit bashkëkohor, në mes të asaj që shpesh është quajtur "fuçi baruti" për Evropën, më 17 shkurt të vitit 2008, madhërishëm lindi forca, besimi, bindja e njëkohësisht vendosmëria për t‘u shkëputur përfundimisht nga makthi i së kaluarës dhe shpresa e madhe për ndërtimin e një Ballkani evropian, një rajoni ku qytetarët ndihen të lirë, të barabartë dhe të sigurt për të ardhmen e aspiratave të tyre. Ky ishte shteti më i ri në botë: Kosova e pavarur dhe sovrane. Kjo ditëlindje e parë e Kosovës na thërret të nderojmë veprën e atyre, që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë, të shprehim mirënjohje për të gjithë ata njerëz të mëdhenj dhe ato shtete mike, të cilat kuptuan, pranuan dhe vendosmërisht u rreshtuan për Kosovën e pavarur e vazhdojnë ta mbështesin atë në rrugën e saj. Shqipëria ka qenë thellësisht e bindur për të drejtën historike të pavarësisë së Kosovës dhe mbështeti të gjitha përpjekjet për të korrigjuar padrejtësinë historike si një detyrim kombëtar të saj. Dhe jo vetëm kaq, por edhe sepse kjo përpjekje u kthye në një sfidë rajonale dhe globale. Ajo u bë pjesë e pandarë e frontit të gjerë euroatlantik që Kosova e pavarur të mos ishte vetëm ëndërr, por një realitet gjeopolitik dhe një shtet shumëetnik, shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë. Kohët moderne kërkojnë vizione bashkëkohore, politikanë largpamës, qeveri programore, popuj tolerantë dhe shtet të së drejtës. Gjatë këtij viti, Kosova provoi se mund të përmbushë këto parime duke zbehur përpjekjet e skeptikëve dhe kundërshtarët e mbijetesës së saj. Ajo provoi se shikon përpara. Ajo dëshmoi vullnetin e saj për t‘u bërë pjesë e integrimit tonë të përbashkët. Shqipëria do të mbështesë integrimin e Kosovës, sepse beson në të ardhmen e saj. Ne mendojmë se ajo ndihmon zhvillimin dhe sigurinë në rajon. Ne kemi besimin se ajo u kontribuon paqes, vlerave e parimeve universale. Ne kemi bindjen se Kosova e pavarur, demokratike dhe sovrane do të bëhet shtet i barabartë mes të barabartëve. Sot në këtë ditë të veçantë, dëshiroj t‘i dërgoj popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve më të lartë të saj urimin e sinqertë të qytetarëve të Shqipërisë:

Ta gëzoni ditëlindjen e shtetit tuaj! Ta festoni përjetësisht këtë ditë të paharruar! Sa më shumë arritje dhe suksese në rrugën tuaj drejt njohjes sa më të madhe ndërkombëtare! Rroftë Kosova e pavarur! Gëzuar!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›