KE: Gjykata Kushtetuese veproi drejt
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit të debatueshëm për lustracionin është një zhvillim i mirëpritur. Në këtë linjë u shprehen dje në një deklaratë për shtyp bashkëraportuesit e komitetit monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë Jaakko Laakso( Finlandë) dhe David Wilshire (Mbretëria e Bashkuar). "Gjykata ka përdorur fuqinë e saj për të pezulluar implementimin derisa të marrë një vendim përfundimtar sa i takon ankimit të bërë nga Partia Socialiste, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit", thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës. Bashkëraportuesit takuan javën e shkuar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kriston. Me këtë rast, ata i sugjeruan gjykatës t‘ia dërgonte ligjin për dhënie këshille Komisionit të Venecias në lidhje me përputhjen e tij me legjislacionin, principet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Bashkëraportuesit u shprehen të kënaqur që gjykata ka vendosur të bëjë diçka të tillë. Duke komentuar vendimin e organit të lartë kushtetues, bashkëraportuesit vlerësuan se është gjetur tanimë një mënyrë për të ndaluar, për të reflektuar në lidhje me detajet e këtij ligji shumë të debatueshëm. Wilshire shtoi se "askush nuk po thotë se Shqipëria nuk duhet të ketë një ligj për lustracionin dhe ekspertët janë të gatshëm të ndihmojnë në implementimin e një ligji të tillë". Megjithatë, vijon europarlamentari, disa momente të ligjit aktual duhet vërtet të modifikohen. Ishte pikërisht ligji i "lustracionit", zgjedhjet e 28 qershorit dhe rasti "Biberaj" që sollën vetëm pak ditë më parë në Shqipëri dy reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Jaakko Laakso dhe David Wilshire zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të ndryshëm të politikbërjes dhe drejtues të institucioneve shqiptare. Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ishte një tjetër zë i fuqishëm në kundërshtimin e ligjit të "lustracionit". Kontestimet u përqendruan te mungesa e konsensusit politik mes faktorëve në Parlamentin e Shqipërisë dhe fakti se projekti i mazhorancës binte ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë. Vëmendja u përqendrua edhe te drejtësia, ku u theksua se Bashkimi Evropian i kushton të njëjtën rëndësi të madhe mirëfunksionimit dhe pavarësisë së gjyqësorit nga politika. Presidenca çeke atakon drejtpërsëdrejti ligjin e lustracionit edhe kur konstatoi se ligji ngre shqetësime për aspekte të caktuara të tij, që lidhen si me procedurën edhe me përmbajtjen e tij. Ndërkombëtarët sugjeruan në vijimësi që shumica në pushtet të tërhiqte mbrapsht projektin dhe të ia nënshtronte një diskutimi të gjerë mes aktorëve politikë dhe grupeve të interesit.