Ministria e Drejtësisë mbështet dhe mbron nismën
Ministria e Drejtësisë mbështeti dje nismën që ka ndërmarrë Kuvendi për miratimin e projektligjit "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9831, datë 12.11.2007 "Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist". Në njoftimin për shtyp thuhet se deri në datën 19 dhjetor 2008 pranë Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur 17 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar bazuar në këtë ligj, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga Ministria e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë mbështet projektligjin e propozuar dhe jep kontributin e saj për përmirësimin e këtij projekti. "Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 50 kërkesa nga ish të dënuarit për veprat penale që propozohen të shtohen dhe ky ndryshim është pozitiv për këtë kategori", thuhet në njoftim. Ministria thotë se nisma zgjeron rrethin e përfituesve të dëmshpërblimit financiar të përcaktuar në nenin 8 të ligjit aktual, duke përfshirë motrën, vëllain, nipin apo mbesën e ish të dënuarit politik.