Nuk ka para për ish të dënuarit politikë
Pamundësia për të përballuar shpenzimet financiare detyroi dje Ministrinë e Financave t‘i kundërvihet projektit të qeverisë për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve. "Ligji ka faturë të lartë financiare. Ne nuk e përballojmë dot me kaq pak kohë që na keni vënë në dispozicion", u shpreh Mimoza Dhëmbi, drejtoreshë e buxhetit në Ministrinë e Financave, teksa u pyet në Komisionin parlamentar të Çështjeve Ligjore, instancë që mori në shqyrtim projektligjin për të dënuarit politikë. Gjatë debateve të zhvilluara, drejtoresha e Ministrisë së Financave ju kujtoi anëtarëve të Komisionit të Ligjeve se nisma e deputetit të PD-së, Astrit Bushati, ka një faturë financiare dhe koha prej më pak se 5 muajsh që kërkon kompensimi i ish të dënuarve është shumë e paktë për të bërë të gjitha llogaritjet dhe për të nxjerrë në fund shumën që duhet për të dëmshpërblyer këtë shtresë. Kjo, tha drejtoresha Dhëmbi, bëhet edhe më e vështirë kur në nismën ligjore kërkohet që të zgjerohet rrethi i familjarëve, të cilët do të përfitojnë nga ky dëmshpërblim. Përfaqësuesja e Ministrisë kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar këtë nismë ligjore, teksa nuk përcaktoi qartë se sa do të jetë kostoja që do të shpenzohet për këtë shtresë. Dhëmbi u kujtoi deputetëve të Kuvendit se duhet të kenë parasysh që nisma ngrin shpërndarjen e dëmshpërblimit aktual sipas ligjit ekzistues, i cili në buxhetin e shtetit të vitit 2008 kap shifrën e rreth dy miliardë lekëve. Në argumentimin e ministrisë, zgjerimi i listës së përfituesve është një faturë e madhe suplementare e ligjit ekzistues. Ky qëndrim i Ministrisë së Financave shkaktoi habi te deputetët e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve, të cilët i kërkuan drejtoreshës së buxhetit që të mos shprehet menjëherë pa bërë një përllogaritje se sa është shuma që duhet të vërë shteti në dispozicion për ish të dënuarit politikë. Deputetët theksuan se ministrisë do t‘i duhen vetëm pak javë për të bërë llogaritë e duhura, ndaj pas dy apo tre javësh ata duhet të paraqiten në Kuvend për të bërë publike shumën e duhur dhe qëndrimin përfundimtar të ministrisë. Propozimi, ndonëse pa shumë dëshirë, është pranuar nga drejtoresha e Ministrisë së Financave. Pjesë e këtij debati janë bërë edhe deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, nënvizoi se deputetët e mazhorancës po tallen me ish të dënuarit politikë, duke sjellë një projektligj pak muaj para zgjedhjeve dhe tashmë del Ministria e Financave dhe shprehet se nuk e pranon atë, pasi ka kosto të lartë. Por deputeti i PS-së nuk u la të flasë nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i cili i kujtoi se nuk i kishte dhënë lejë për të folur, ndaj nuk mund të ndërhynte. Pretendimi nuk u pranua nga deputeti i opozitës dhe shkaktoi më pas debate me kryetarin e komisionit, deri në ndërprerjen e mbledhjes.