E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, e sigurt në rrugën si shtet

Tre liderët më të lartë të Kosovës falënderuan dje bashkësinë ndërkombëtare për ndihmën që i ka dhënë Kosovës, si para edhe pas Pavarësisë. Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të njëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë, udhëheqësit e institucioneve shtetërore premtuan se do të vazhdojnë të punojnë që Kosova sa më shpejt të integrohet në familjes evropiane dhe Aleancën Veriatlantike. Në këtë seancë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve të ndryshme të botës që janë të akredituara në Kosovë, si dhe përfaqësues të KFOR-it, Bashkimit Evropian, EULEX-it, ICO-s, politikanë vendorë e rajonalë. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, në fjalimin e tij tha se shpallja e pavarësisë ka shënuar kthesë në jetën e qytetarëve të vendit. "Pavarësia e Kosovës, gjeti mbështetje të plotë edhe juridike edhe politike dhe si e tillë u mbështet nga 54 shtete demokratike të botës", theksoi Krasniqi. Edhe Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, tha se ajo që është bërë nga ky Kuvend një vit më parë, është e arritura më e madhe e popullit të Kosovës për 100 vjet. Kryeministri Hashim Thaçi përmendi përpjekjet e të gjithë banorëve të Kosovës, për të ardhur në ditën në të cilën ndodhet tash Kosova. "Sot në këtë ditë të rëndësishme ne kujtojmë të kaluarën, respektojmë atë dhe marrim zotime për të ardhmen. Sot shënojmë festën më të rëndësishme të shtetit të Kosovës", tha Kryeministri Thaçi në fjalimin e tij përpara deputetëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Ndërkohë, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Piter Feith, duke ia uruar gjithë popullit të Kosovës njëvjetorin e pavarësisë, tha se do të angazhohet që vendi ynë të bëhet shtet kuptimplotë demokratik dhe shumëetnik".

Festime të zjarrta nuk janë organizuar vetëm në Kosovë, ku Presidenti Sejdiu dekretoi faljen dhe uljen e dënimit për 62 të dënuar, por edhe në Shqipëri. Flamuj të Shqipërisë dhe Kosovës dhe një dekor festiv ishte vendosur përgjatë gjithë bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Nga ora 18:00 deri në orën 20:00, Bashkia e Tiranës organizoi "Shëtitjen e Lirisë" përgjatë "Dëshmorëve të Kombit", në shenjë solidariteti me Kosovën. Kreu i socialistëve Edi Rama iu bashkua dje ceremonisë së festimeve për njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në një prononcim për mediat, ai vlerësoi se prej një viti Kosova po ndërton rrugën e saj drejt Evropës si një shtet që aspiron vendin e vet në tryezën e Bashkimit Evropian.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›