Gecaj: ”Vaksina e meningjitit vetëm te privati”
Vaksinimi i popullatës në vendin tonë është në nivele të larta. Por autoritetet bëjnë të ditur se vaksina e meningjitit është ajo që mungon totalisht. Ndërsa, kreu i ASHR-së, Mhill Gecaj, pohon se vaksina e meningjitit mund të blihet vetëm në klinikat private, pasi ato shtetërore nuk kanë mundur ta blejnë për shkak të kostos së lartë. Megjithëse Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje për futjen e kësaj vaksine në kalendarin e kryerjes së vaksinimit të detyruar të të gjithë popullatës. Meningjiti këtë vit shënoi nëntë persona të prekur dhe pritet që të virusi të përsëritet edhe vitin e ardhshëm nëse ministria nuk merr masa për vaksinimin e popullsisë. Problemi për të pasur një numër të madh vaksinash për meningjitin nuk është vetëm i shëndetësisë në vendin tonë, por të njëjtën situatë ndodhen edhe vende të tjera të Europës. “Në kalendarin tonë të vaksinimit nuk e kemi këtë vaksinë dhe jo vetëm ne, por edhe vendet e rajonit dhe një pjesë e mirë e BE-së. Është vaksinë e kushtueshme. Pa dyshim gjendet në tregun privat, sepse ne kemi një ekonomi tregu të lirë dhe mund të sigurohet, por kushton”, - u shpreh Gecaj. Sipas tij, ky autoritet ka marrë tashmë vaksinat e gripit për personelin shëndetësor dhe është kryer shpërndarja. Ndërkohë që për vaksinimin e popullatës, vitin e kaluar janë vaksinuar rreth 98 për qind e popullatës dhe vetëm 2 për qind kanë ngelur jashtë procesit të vaksinimit.
8 Mars 2008