E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Taksave kërkon regjistrimin e të gjitha subjekteve

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka kërkuar regjistrimin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë aktivitet në qytetin e Tiranës të regjistrohen sa më shpejt, sipas procedurave ligjore. Gjatë muajit shkurt 2008 Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka arritur të evidentojë 916 subjekte të paregjistruara, ku 182 ishin subjekte të cilat në mënyrë abuzive paguanin pranë komunave në kufi me qytetin e Tiranës. Për të gjitha subjektet që pas evidentimit nuk janë regjistruar, Bashkia e Tiranës po merr masa për bllokimin e aktiviteteve. Regjistrimi i tyre është i domosdoshëm, pasi kështu do të shmanget konkurrenca e pandershme. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijohet një sistem fiskal i barabartë për të gjithë. Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, ditët e fundit janë duke kryer një aksion për identifikimin e të gjitha subjekteve të paregjistruara që operojnë në mënyrë të paligjshme. Verifikimet janë bërë si për aktivitetet e paregjistruara ashtu dhe për ato subjekte që janë debitorë. Aktivitetet e paligjshme janë evidentuar duke u nisur që nga baret, floktoret, minimarketet dhe deri tek agjencitë e lotosportit e turistike. Ndaj këtyre subjekteve janë marrë masat për urdhër bllokimi të aktivitetit. Sipas burimeve zyrtare të Bashkisë së Tiranës, një problem në këtë situatë mbetet regjistrimi i bizneseve pranë komunave në kufi me Bashkinë e Tiranës, për efekt të taksave më të ulëta të komunave krahasuar me Tiranën. Në qendër të kontrollit të autoriteteve gjatë muajit mars do të jenë zonat e Kasharit, Kamzës dhe Farkës.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›