E Shtunë, 31 Tetor 2026

Geert Wilders publikon filmin antiislamik në internet

Kryeministri holandez shpreh shqetësimin e sulmeve terroriste. Politikani holandez Wilders: “Kurani të ndalohet me ligj”

Pas shfaqjes së filmit “Fitna”, kryeministri i Holandës, Jan Peter Balkenende, deklaroi në Televizionin Holandez se qeveria e tij e hedh poshtë interpretimin e Wilders për islamizmin. Shtabet e krizës në autoritetet holandeze u vunë paraprakisht në gatishmëri. Shqetësimi për aksione të mundshme hakmarrjeje në Holandë dhe jashtë saj mbetet. Megjithatë, të gjithë kanë qenë të përgatitur për publikimin e filmit kundër islamizmit, që pritej prej muajsh: policia, forcat e rendit si dhe politika. Javët e fundit qeveria i paralajmëroi të gjitha ambasadat jashtë vendit për reagimet e mundshme dhe i bëri thirrje Wilders-it që të mos e publikojë filmin. Por pas filmit të parlamentarit Wilders, partia e djathtë e të cilit ka nëntë mandate në parlament, kryeministri kristiandemokrat Balkenende u detyrua të bëjë thirrjen: “Ky film e barazon islamizmin me dhunën. Ne e hedhim poshtë këtë interpretim. Shumica e myslimanëve janë kundër ekstremizmit dhe dhunës. Madje shpeshherë viktima janë vetë myslimanët.”
Këtë deklaratë Balkenende e bëri në holandisht dhe në anglisht.
Edhe Fouad Sidali, përfaqësues i komunitetit mysliman, deklaroi: “Ne si myslimanë në Holandë jemi kundër çdo forme të agresionit dhe të dhunës. Ne jemi holandezë, e duam këtë vend dhe respektojmë kushtetutën”. Gjatë shfaqjes së filmit “Fitna” u konstatuan mjaft gabime. Përveç kësaj, krijuesit danezë të karikaturave të Muhamedit u ankuan që Wilders i ka përdorur ato pa i pyetur autorët. Televizioni Holandez njoftoi se miliona njerëz kanë klikuar faqen e internetit ku u shfaq filmi i shumëpërfolur. Ka pasur edhe përpjekje të Hacker-ave për ta bllokuar shfaqjen e filmit. Ekziston frika për sulme brenda vendit, por edhe ndaj ushtarëve holandezë në Afganistan. Përveç kësaj, ka shqetësim që ngjashëm si në rastin e karikaturave daneze për Muhamedin, mund të cenohen interesat ekonomike të vendit në botën e jashtme. Holandezët sjellin në kujtesë vrasjen e regjisorit Theo Van Gogh, i cili gjithashtu publikoi një film kritik ndaj islamizmit. Një islamik radikal e vrau Van Gogun në mes të rrugës. “Holandezët ende kanë frikë. Njeriu nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Nëse mund të ketë demonstrata apo sulme, frika është e pranishme kudo”. Kështu shprehet gazetari Ad Vaessen nga Roterdami. Geert Wildersit kjo nuk i bën përshtypje. Prej vitesh ai ndodhet nën mbrojtje të fortë nga policia. Deklaratat e Wilders nënkuptojnë mesazhe të nxitjes së urrejtjes: “Mesazhi i filmit është që Kurani është një libër i tmerrshëm. Madje jo vetëm i së shkuarës, por edhe sot me këtë libër bëhen gjëra të tmerrshme. Këtë dua të tregoj unë. Unë kam propozuar edhe në Parlament që të ndalohet Kurani”. 44-vjeçari që bën reklamë për partinë e tij me parulla kundër të huajve dhe në radhë të parë antiislamike, po përjeton ndërkohë një lloj strategjie “kontrolli” të politikës, madje edhe të mediave. Liria e mendimit është një vlerë që duhet të garantohet”, - thotë kryeministri kristiandemokrat i Holandës, Jan Peter Balkenende, por ai shton se “përgjegjësia jonë është që t´i tërheqim vëmendjen zotit Wilders për pasojat e mundshme. Liria nuk çliron askënd prej përgjegjësisë. Ne duhet të konfrontohemi me rreziqet serioze për shtetasit tanë dhe interesat holandeze në vende të ndryshme”.
(D. W)

29 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›