Tirana fiton me 9 lojtarë, vendos Hyka
Një Tiranë e varfër deri në absurditet në 70 minutat e para të ndeshjes kundër Elbasanit, por madhështore në 20 minutat e mbetura, ku jo vetëm përmbysi rezultatin 0-1 (gol i Endri Dalipit për verdheblutë në të 7’), por dhe siguroi një trepikësh të artë për të siguruar fitoren e parë sezonale kundër Elbasanit, por dhe u ngjit përkohësisht në vendin e tretë. Edhe pse e ndodhur me nëntë lojtarë - Fortuzi 62’ e Mohelebi 64’ u ndëshkuan me kartonë të kuq- kampionia në fuqi gjeti kurajën e duhur për të prodhuar dy gola, i pari pas këmbënguljes titanike të Daniel Xhafës (70’) dhe, i dyti, falë virtuozitetit dhe magjisë së Jahmir Hykës (75’). “Hyka do të bëjë gjithmonë gola të bukur”, - tha pas ndeshjes trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, i pezulluar në këtë takim, ndërkohë që ai Elbasanit, Krenar Alimehmeti, u zhduk pa lënë gjurmë pas humbjes.
45 MINUTA VERDHEBLU
E ndjekur nga rreth 2000 shikues dhe me një zonë “VIP” të tejmbushur (Ngjela e Papuli nga Tirana; Laze e Sejdini nga Elbasani), 23 herë kampionët e Shqipërisë përjetuan një nga ndeshjet më amorfe të 25 javëve. Topi i parë u luajt nga Elbasani, por ngacmimi i parë i takoi Hykës së bardhebluve, kur fantazisti i Kombëtares gjuajti në minutën e tretë në ecje e sipër. Minuta e 7-të prodhoi edhe golin e parë dhe të vetëm të djemve të Krenar Alimehmetit. Shqiptaro-maqedonasi Arben Nuhiu e ekzekutoi mjeshtërisht një goditje këndi, topi u devijua me kokë nga Skerdi Bejzade për të përfunduar në këmbët e Endri Dalipit, i cili me një diagonale cinike nga 18 metra mposhti portierin e Tiranës, Osmani. Goli i dytë sezonal i Endri Dalipit. 0-1. Tirana e goditur psikologjikisht, ndërkohë që Elbasani tentoi sërish me Sakaj (13’) e Ardian Nuhiun (24’, 27’ e 41’) duke qenë pranë golit të dytë, kur vetëm centimetrat e ndanë sferën nga hapësira mbi shtyllën horizontale.
DY KARTONË TË KUQ, DY GOLA
Pjesa e parë ishte shumë e varfër për Tiranën, ndërkohë që fraksioni i dytë nisi gati tragjik për skuadrën kryeqytetase: Fortuzi ndëshkohet direkt me karton të kuq (62’), pas faullit ndaj Shetës, ndërsa dy minuta më pas, francezi Mohelebi (64’) mori kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Bardhyl Pashaj. S’ka ku të shkojë më keq për Tiranën: në dizavantazh 0-1, me nëntë lojtarë, përballë një Elbasani ambicioz. Trajneri Ardian Mema u shfaq shumë nervoz në pistën e “Selman Stërmasit” e, mesa u duk, ngacmoi edhe ndërgjegjen bardheblu. Klodian Duro hodhi një top për zëvendësuesin Daniel Xhafaj, i cili me këmbënguljen e tij heroike, duke shfrytëzuar gabimin fatal të Arian Shetës, mposhti serbin Vraniç në të 70’, për të rihapur lojën. Goli i katërt sezonal i vlonjatit me fanellën e Tiranës. Për të vulosur fitoren e 11-të sezonale të Tiranës mendoi “djaloshi i artë”, Jahmir Hyka. Duke shfrytëzuar maksimalisht një kundërsulm të Deliallisit, Hyka bëri atë që pëlqen më shumë, dribloi dy mbrojtës verdheblu në zonë dhe e çoi ëmbëlsisht topin në rrjetë. Goli i dytë sezonal i Hykës. E pabesueshme 2-1. Tri pikë që kënaqën në maksimum Ardian Memën, por nxinë mikun e tij, trajnerin e Elbasanit, Krenar Alimehmeti, i cili gaboi jo pak me mënyrën se si e udhëzoi ekipin kur ishte në avantazh 0-1. Kjo ishte edhe humbja e 6-të e Elbasanit në 25 javë, por edhe e 67-ta në 131 përballje historike me Tiranën.
Tirana-Elbasani 2-1
Shënues: Xhafaj 70’, Hyka 75’/ Dalipi 7’
E premte, 28 mars 2008, stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
Tirana: Osmani; Vrapi, Sina, Hajdari (65’ Arapi), Kcira; Bakalli (46’ Deliallisi), Hyka, Duro, Mohelebi, Fagu (46’ Xhafaj), Fortuzi.
Elbasani: Vraniç; Mehmetaj, Sheta, Karçev; Ahmataj, Sakaj, Ard. Nuhiu, Bokotola (85’ Yshmeri), Dalipi; Bejzade (69’ Nënaj), Arb. Nuhiu (65’ Tetova).
Kartonë të verdhë: Mohelebi (2)/Bokotola, Sakaj, Sheta, Mehmetaj.
Kartonë të kuq: Fortuzi, Mohelebi
Gjyqtarë: B.Pashaj, A. Mali, S. Avdo
Minutat
7’ Shqiptaro-maqedonasi Arben Nuhiu e ekzekutoi mjeshtërisht një goditje këndi, topi u devijua me kokë nga Skerdi Bejzade, për të përfunduar në këmbët e Endri Dalipit, i cili me një diagonale cinike nga 18 metra mposhti portierin e Tiranës, Osmani. 0-1.
18’ Tirana tenton për të parën herë, është Hyka që nga e majta kroson një top në zonë ku gjendet Duro, i cili godet me kokë por topi përfundon vetëm pak mbi traversë.
24’ Elbasani vazhdon të jetë më i rrezikshëm në fushë, protagonist i këtij aksioni është Ardian Nuhiji, i cili në diagonale tenton portën e Tiranës me një gjuajtje më shumë në formë krosi, me vështirësi Osmani e devijon në goditje këndi.
40’ Arben Nuhiji sërish protagonist i sulmit të Elbasanit teksa gjuan në diagonale një top që kalon portierin Osmani dhe përshkon të gjithë zonën bardheblu, por pa u shfrytëzuar nga asnjë lojtar i Elbasanit dhe për të përfunduar jashtë ngjitur me shtyllën pingule.
60’ Gjyqtari Pashaj bëhet protagonist i takimit pasi ndëshkon në mënyrë të diskutueshme Fortuzin me karton të kuq për një ndërhyrje në mesfushë.
61’ Tirana mbetet me 9 futbollistë në fushë pasi Pashaj ndëshkon edhe Mohelebin me kartonin e dytë të verdhë për një protestë të lojtarit.
70’ Xhafaj barazon shifrat në 1-1, falë insistimit të tij teksa në zonë duke përfituar edhe nga një gabim i mbrojtjes së Elbasanit dërgon në rrjetë një top thuajse të pamundur.
75’ Hyka bën mrekullinë për kampionët duke shënuar golin e dytë dhe të fitores për Tiranën 2-1. Duke shfrytëzuar maksimalisht një kundërsulm të Deliallisit, Hyka bën atë që pëlqen më shumë, driblon dy mbrojtës verdheblu në zonë dhe çon topin në rrjetë.
Mema: “Tirana e shpërfytyruar, por i falënderoj lojtarët për fitoren”
Edhe pse Tirana arriti një fitore të jashtëzakonshme me Elbasanin, duke përmbysur rezultarin nga 0-1 në 2-1, më i pakënaquri ishte trajneri i saj, Sulejman Mema. “Pashë një Tiranë të shpërfytyruar në pjesën e dytë, pashë një Tiranë që luan me tetë veta më mirë se me dhjetë në fushë. Unë e kam thënë që në fillim, por ndoshta ju (gazetarët) e keni marrë për ters. Revolucionin që unë dua ta bëj dëshiroj ta bëj edhe në plan moral. Një futbollist që nuk luan futboll me shpirt, normalisht nuk do t’i paraqesë dot vlerat e tij në fushën e lojës. E patë që luajtën me shpirt kur mbetën tetë veta. Treguan vlera. I falënderoj për fitoren e sotme”. Trajneri i Tiranës, Sulejman Mema, e ndoqi ndeshjen nga tribuna për shkak të pezullimit pas ndëshkimit me karton të kuq në ndeshjen e një jave më parë kundër Shkumbinit në Peqin, ku dhe bardheblutë humbën 1-0 me peqinasit. Në drejtim të skuadrës ishte një tjetër Memë (Ardiani), ndihmës i Sulës, por njëherësh edhe djali i xhaxhait të tij. “Si ishte Mema i vogël në drejtim? Ishte Mema i madh, ishte Mema i vogël, rëndësi ka që kishte një Memë në fushë. Hyka realizoi një gol të bukur? Hyka do të bëjë gjithmonë gola të bukur. Unë mendoj se Hyka dhe shumë futbollistë të tjerë që ne kemi kanë vlera. Vendosën zëvendësime? Unë mendoj se jo, ato janë rrjedhë e lojës, meritë kanë trajnerët, por dhe futbollistët. Tirana në vendin e tretë? Po më bëhet qejfi shumë, por ne do të luftojmë për Kupën e Shqipërisë”.
Tafaj: “Përmbysja? Pashë Tiranën e vërtetë”
Drejtori teknik i Tiranës, Alban Tafaj, nuk e fshehu kënaqësinë e fitores befasuese të bardhebluve. “Çfarë përjetuam së bashku me Adrianin kur mbetëm me nëntë lojtarë? Çuditërisht, kur ishim me 11 lojtarë ekipi nuk po shprehte aftësitë e veta, ato vlera që ka Tirana. Më mirë i shprehëm ato kur ishim në inferioritet numerik”. 23 herë kampionët përmbysin rezultatin nga 0-1 në 2-1 edhe pse ishin me nëntë lojtarë, duke përsëritur fitoren e fundit të tyre gjatë sezonit të kaluar, kur fituan po 2-1, më 21 prill 2007. “Sinqerisht m’u duk sikur u kthye Tirana e viteve më përpara, kur fitonim pambarim tituj dhe gjetëm atë grintë që na ka karekterizuar, atë frymë bashkëpunimi të jashtëzakonshëm midis individualiteve që kanë lojtarët”, - përfundon Alban Tafaj, i cili ka kryer më parë edhe ndihmësin e Shkëlqim Muçës, por dhe të Sulejman Starovës e Astrit Hafizit.
Kategoria Superiore
Java 25
Dje
Tirana-Elbasani 2-1
Xhafaj 70’, Hyka 75’/ Dalipi 7’
Sot
Partizani-Kastrioti
Dobi, Mustafaraj, Molla
Vllaznia-Flamurtari
Jareci, Miho, Molla
Besa-Shkumbini
Çekaj, Biçaku, Qirici
Skënderbeu-Besëlidhja
Janku, Maloku, Rexha
Të dielën
Dinamo-Teuta
Jemini, Salaj, Guçe
* Ndeshjet fillojnë në orën 15:30
UEFA zyrtarizon pezullimin, Topi të hënën pret Dukën
Kriza e futbollit shqiptar, ku në konflikt janë përfshirë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federata Shqiptare e Futbollit, po kalon në një stad tjetër dhe për ta zgjidhur atë e për të hequr pezullimin pa afat të Shqipërisë nga FIFA e UEFA (dje Komiteti Ekzekutiv i saj zyrtarizoi vendimin) është angazhuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i njohur si dashamirës i sporteve dhe për disa kohë edhe ish-presidenti i klubit të futbollit “Tirana”. Takimi Topi-Duka (por dhe një pjesë e krerëve të lartë të topit shqiptar) do të organizohet të hënën e ardhshme. Ky do të ishte takimi i dytë Topi-Duka, pasi i pari është realizuar më 4 janar 2008 pak orë para se të prezantohej zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, holandezi Ari Han. Atëherë, si zyra për shtyp e FSHF-së dhe ajo e Presidencës e konsideruan takimin si tërësisht privat dhe me sfond miqësor.
29 Mars 2008