E Diel, 1 Nëntor 2026

Gejts: Pa zgjidhur emrin, nuk hyni në NATO

SHBA-ja i mbështet fuqimisht aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO. Kështu deklaroi dje në Ohër sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, pas takimit të përbashkët me Presidentin Branko Cërvenkovski, Kryeministrin Nikolla Gruevski dhe me ministrin e Mbrojtjes, Zoran Konjanovski. "Edhe ne kemi qenë të dëshpëruar prillin e kaluar, kur Maqedonia nuk u ftua që të bashkohet drejt Aleancës në Samitin e NATO-s në Bukuresht. I inkurajojmë Maqedoninë dhe Greqinë që urgjentisht të gjejnë zgjidhje për çështjen e emrit, që është në interes më të mirë për të dyja palët dhe për rajonin", u shpreh Gejts në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes të Maqedonisë, Zoran Konjanovski. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së tha se nuk ekziston alternativë tjetër rreth mënyrës për anëtarësimin drejt NATO-s. "Ekziston vetëm një rrugë deri në anëtarësim në NATO, e ajo është me pajtim unanim nga të gjitha anëtaret e Aleancës. Situata është e komplikuar prandaj duhet të punojmë në këtë drejtim, e kjo nuk vlen vetëm për ju, por edhe për vendet e tjera", tha Gejts.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›