E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në kufirin Kosovë-Shqipëri

Paraditen e djeshme, në doganën e Kosovës në Vërmicë, ka pasur konfuzion dhe radhë të gjata, ku mjetet kanë qëndruar disa orë në pritje për të kaluar traun. Shkak është bërë mungesa e punonjësve në sportelet përkatëse, ku zakonisht kontrollohen dokumentet dhe kryhen procedurat doganore. Burime nga dogana e Morinit tregojnë se në orët e para të mëngjesit, radhët e mjeteve shkonin deri në fshatin Morin, por edhe në anën tjetër të traut ka pasur të paktën disa qindra automjete që prisnin të hynin në Shqipëri. Në radhët e gjata ndodheshin një numër autobusësh me fëmijë, që donin të bënin ekskursion në Shqipëri, si dhe vozitës nga rajoni i Kukësit. Drejtues të doganës së Morinit thanë për gazetën "Shqip" se çdo të mërkurë krijohen radhë, ndonëse jo kaq të gjata, për shkak se në Prizren është ditë pazari dhe për atje udhëtojnë qindra e qindra mjete nga Kukësi, Shkodra e Tirana për të marrë furnizim, por edhe për të dërguar prodhime të stinës nga zonat e Shqipërisë. Të dyja doganat kanë personel të mjaftueshëm dhe mjete për flukse të tilla, por në doganën e Vërmicës nuk kanë funksionuar të paktën dy sportele, nga katër të mundshëm. Në ditë të tilla të pazarit të madh të Prizrenit, doganat respektive marrin edhe personel shtesë. Mësohet gjithashtu se aty nga mesdita gjithçka është kthyer në normalitet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›