Mjekët dhe laborantët e ISHP-së katër muaj pa shtesat e rrogës
Mjekët dhe infermierët e Institutit të Shëndetit Publik kanë protestuar dje për një orë për një padrejtësi që u është bërë përfitimeve të tyre mujore. Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga vendimi i Këshillit të Ministrave për rritjen e pagave të punonjësve në sistemin shëndetësor, ende nuk kanë marrë shtesën e miratuar nga qeveria. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, rritja për punonjësit e Shëndetit Publik do të ishte me 10 për qind dhe efekti financiar do të niste nga muaji korrik. Por mjekët dhe laborantët e Institutit të Shëndetit Publik nuk kanë marrë as pagën e rritur dhe as prapambetjet e shtesave, duke nisur nga korriku e deri në tetor. Nisur nga kjo, punonjësit e Shëndetit Publik, mjekë dhe laborantë, kanë bojkotuar punën për një orë dhe kanë protestuar për këtë padrejtësi kundrejt përfitimeve të tyre, të cilat i takon t‘i marrin sipas vendimit të qeverisë. Sipas punonjësve të Shëndetit Publik, ky veprim tregon harresë dhe padrejtësi, duke pasur parasysh këtu që nga vendimi kanë përfituar punonjësit e shëndetësisë në të gjitha spitalet e vendit. Kryetari i Sindikatës së Punonjësve Shkencorë të ISHP-së, Dritan Ulqinaku, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për zbardhjen e vendimit sa më parë, në mënyrë që edhe këta punonjës të marrin shtesat e përfituara sipas VKM-së. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pak kohë më parë, korriku do të ishte muaji i rritjes së pagës me 15 për qind. Përllogaritjet se sa do të bëhet paga janë bërë nga specialistë të kostos në Ministrinë e Shëndetësisë dy muaj më parë dhe sipas ndarjes në kategori secili mjek, infermier, apo punonjës i shëndetësisë përfiton nga rritja, por edhe në bazë të vjetërisë apo vështirësisë në punë. Rritja mesatare e pagave nga vendimi është 15 për qind. Për kategoritë kryesore, punonjësit me arsim të lartë dhe personeli infermieror përfitojnë një rritje pagash në masën 15 për qind, ndërsa për nëpunësit civil, punonjësit e administratës në Ministrinë e Shëndetësisë, rritja e pagës ishte vetëm 5 për qind. Efekti financiar, që rrjedh nga zbatimi i vlerave të reja të pagave, përballohet nga fondet e politikave të parashikuara në buxhetin e shtetit, për rritjen e pagave për vitin 2008. Mjekët, infermierët apo personeli me bluzë të bardhë është një nga kategoritë më të përfolura për stimulime dhe pagesa më të larta për punët e tyre. Në kategorinë e personelit shëndetësor, më të vlerësuar nga rritja e pagave kanë qenë infermierët, në mënyrë të veçantë ata që ushtrojnë profesionin gjatë turnit të dytë.