Infermierët e Ushtarakut, me pagat e vjetra
Infermierët e Spitalit Ushtarak nuk kanë marrë pagat e rritura edhe këtë muaj. Mjekët e Spitalit Ushtarak kanë përfituar nga rritja e pagave sipas vendimit të qeverisë, ndërsa për infermierët nuk ka qenë i njëjti proces. Punonjëset e kujdesit të pacientit kanë kërkuar sqarim në zyrën e financës, por sipas tyre, deri tani, nuk ka pasur asnjë shkresë për lëvrimin e fondeve për shpërndarjen e shtesave për infermierët e spitalit. Janë më shumë se 100 infermierë, që punojnë në Spitalin Ushtarak, të cilat ende nuk kanë marrë përfitimin pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas infermierëve, edhe vjet ka ndodhur e njëjta histori. Në fund të vitit kanë marrë vetëm shtesat për tre muaj dhe jo për gjashtë muaj siç përshkruan vendimi, i cili thotë se efekti financiar nis nga muaji korrik. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar dy muaj më parë se janë përllogaritur të gjitha shtesat që burojnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave. Sipas këtij dikasteri, për vitin 2008 u planifikuan rritje pagash për të gjitha kategoritë e punonjësve në sektorin shëndetësor, numri total i të cilëve arrin në 15363 punonjës.
Në bazë të llogaritjeve, për vitin 2008, shëndetësia ka një buxhet 8.7 për qind herë më të lartë se në 2007-ën, vit në të cilin pati një rritje masive të pagave të mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës me rreth 15-23 për qind.
Në bazë të llogaritjeve, për vitin 2008, shëndetësia ka një buxhet 8.7 për qind herë më të lartë se në 2007-ën, vit në të cilin pati një rritje masive të pagave të mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës me rreth 15-23 për qind.