E Diel, 1 Nëntor 2026

Genc Pollo: “Rama dhe Meta si dy gjysmagjel të përrallës”

21-05-2013 / Gazeta 55

Ministri Pollo takim me simpatizantë dhe mbështetës të PD-së në komunën Poshnje, rrethi Berat
 
Kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, njëkohësisht Ministër i Inovacionit dhe TIK, z. Genc Pollo, ka zhvilluar një takim me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në komunën e Poshnjes së rrethit të Beratit, i shoqëruar edhe nga deputeti tjetër i PD-së, z. Lefter Maliqi.
Në këtë takim, veç të tjerash, deputeti Pollo ka shprehur edhe një herë angazhimin e kësaj mazhorance për t’i përmbushur të gjitha premtimet e dhëna, një prej të cilave është edhe rruga Berat-Lushnje, e tenderuar në të gjithë segmentet e saj, pjesë e së cilës është edhe segmenti Poshnje-Urë Vajgurore, që është në përfundim e sipër.
Duke u ndalur në situatën politike në vend, zoti Pollo ka ironizuar edhe lidershipin e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe atë të Partisë Socialiste, të cilët janë vënë në garë me deklarata se kush do të jetë Kryeministër i së majtës, nëse ajo do të vijë në pushtet.
Gjatë fjalës së tij ai tha: “Po të ndjekësh debatin brenda opozitës se kush do të jetë Kryeministër, do të kuptosh se socialistët do të sjellin dy gjysmëqeveri si gjysmagjelët e përrallës, ndërsa, nga ana tjetër, një gjë është mëse e sigurt: Partia Demokratike është shumë e qartë se çfarë qeverie do të ketë.”
Zoti Pollo më tej ka thënë se PD-ja është e qartë në synimin e saj për një mandat të tretë në Berat dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse bilanci i kësaj qeverie është pozitiv në të gjithë aspektet e tij.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›