Genc Pollo, në konkurs si parashutist
Personazhet shqiptarë të politikës vitet e fundit i kemi parë dhe ndjekur në argëtime nga më të ndryshmet… që nga sporti i futbollit, volejbollit, dhe notit.., por ky i fundit ama na ka surprizuar të gjithëve. Për faktin se padyshim që është një nga sporte me adrenalinën më të fortë, por edhe me frikën e rrezikun bashkë, siç është fluturimi me parashutë. Kështu që politikani Genc Pollo, aktualisht ministër i Shtetit, na ka befasuar me këtë performancë të tij. E Pollo nuk ka shfaqur këtë herë thjesht një hobi të tij, por më tepër se kaq. Ai është bërë pjesë e kampionatit mbarëkombëtar që u mbajt në afërsi të Prizrenit dy ditë më parë dhe që ka nisur një rrugë krejt interesante në mes garave të tjera sportive.
Fluturimi
Kanë fluturuar mbi hapësirën e Kosovës, në kuadër të kampionatit e parë mbarëkombëtar të Aeronautikës, të cilën drejtuesi i njohur Alket Islami do ta komentonte kështu: “Ky kampionat është mëse i nevojshëm dhe jemi të parët si sport në dy vendet Shqipëri e Kosovë, që bëjmë një nismë të tillë”. Fluturimin mbi hapësirat kosovare e provoi edhe ministri i Shtetit, Genc Pollo. Pas përfundimit të fluturimit, ministri u shpreh se ky sport duhet përkrahur. “Ia vlen ta mbështesësh, ta propagandosh, në mënyrë që të shtohen radhët e atyre që fluturojnë me parashutë”, u shpreh Pollo. Sigurisht prezenca e një ministri jo vetëm që i jep tjetër prestigj një kampionati, por motivon edhe shumë të tjerë që ta mbështesin dhe bëhen pjesë e tij në të ardhmen. Kampionati mbarëkombëtar që nisi në Prizren do të ketë gjashtë gara, ndërsa përfundon në Vlorë vitin e ardhshëm. Në garën e parë të këtij kampionati morën pjesë 25 garues. Ky kampionat është vetëm fillimi dhe do të vijojë të realizohet çdo vit, thuhet sipas organizatorëve. Do të jetë kampionat tradicional dhe falënderojmë organizatorët për këtë gjetje.