Lorenc Luka: Vazhdim i projekteve që sollën progres
Ju rikandidoni në postin e kryebashkiakut. Çfarë keni gjëra të reja për t’u thënë qytetarëve?
Kur dola para bashkëqytetarëve unë u premtova që nuk kisha qëllim rikandidimin, por vazhdimin e mëtejshëm të një progresi të dukshëm, i cili ka plane, ka strukturë, është transparent dhe i menduar mirë. Çdo plan i imi jo vetëm si kryebashkiak por edhe familjar është i lidhur me Shkodrën, dua të vazhdoj të jetoj në këtë qytet me post dhe pa post, prandaj përgjegjësitë janë gjithmonë e më të mëdha. Ajo çfarë dua t’u them qytetarëve është që nuk ka asnjë pikë në programin tonë e cila nuk i përfshin ata, dhe që ky program synon për të gjithë hapa para. Ne sot nuk synojmë të fillojmë, por të vazhdojmë, të bëhemi përherë e më të mirë, të përdorim eksperiencat e fituara për t’u ofruar qytetarëve shërbimet më të mira. Nuk mund të lë pa përmendur që krah i fuqishëm i nismave dhe realizimeve të deritanishme është edhe qeveria aktuale.
Cilat do të jenë prioritetet tuaja në këtë mandat?
Qëllimi im do të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i qytetit të Shkodrës, dhe prioriteti i parë në funksion të këtij qëllimi është përmirësimi i infrastrukturës në zonat e dëmtuara nga dukuritë natyrore të këtyre dy viteve, por edhe parandalimi i dëmeve për vitet e ardhshme. Në funksion të përballimit të situatës, Qeveria menjëherë na akordoi një fond prej 327 milionë lekësh, dhe këto investime tashmë kanë filluar. Prioritet i rëndësishëm mbetet shpërndarja sa më e drejtë e barrës fiskale sipas grupeve ekonomike dhe sociale ku synohet zgjerimi i bazës së taksapaguesve dhe ndërtimi i marrëdhënieve transparente me këta të fundit, duke i trajtuar si partnerë. Gjithashtu, në lidhje me biznesin do të realizojmë qeverisjen elektronike, me qëllim menaxhimin më efikas të informacionit elektronik të bashkisë për shërbimet ndaj qytetarit dhe biznesit. Një fushë e rëndësishme është rinovimi i planit social, i cili do të jetë një guidë dhe shërbim për integrimin e pakicave rome-egjiptiane dhe të moshuarve, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë përfitues të zhvillimit. Një nga drejtimet e zhvillimit të qytetit është krijimi i infrastrukturës turistike si në funksion të zhvillimit të turizmit kulturor (qendra historike e qytetit dhe kalaja) ashtu edhe në funksion të atij familjar e sportiv në bregun e liqenit (zona Shirokë-Zogaj).
Na citoni 5 projektet më të rëndësishëm
Projektet e rëndësishme për katërvjeçarin e ardhshëm e kalojnë numrin pesë, megjithatë unë do të përmend realizimin e Bypass-i perëndimor, i cili do të mundësojë qëndrueshmëri ekonomike për zonat përreth dhe do të parandalojë dëmet e sjella nga dukuritë natyrore , në zbatim të projektit “Shkodra përballë ujit”, i cili do të krijojë fizionominë e re të qytetit të Shkodrës. Brenda vitit 2012 do të përfundojë investimi për largimin e ujërave të përdorura të zonës Shirokë-Zogaj. Për këtë zonë turistike, një plan ambicioz është projekti “Resorti perëndimi i diellit”. Projekt i rëndësishëm është edhe ndërtimi i dy komplekseve të reja sportive në zonën veriore dhe veriperëndimore të qytetit, që do të ofrojnë alternativa për aktivitete sportive dhe do të rrisin cilësinë e jetës për qytetarët, gjithashtu do të rikonstruktohet pallati i sportit “Qazim Dervishi”dhe do të bëhen ndërhyrje rikualifikuese në stadiumin “Loro Boriçi”.
Duke i kushtuar një vëmendje të veçantë qendrës historike të qytetit dhe duke e vlerësuar atë si vendi i identitetit tonë, do të bëjmë investime të mbështetura edhe nga qeveria shqiptare për vazhdimin dhe përmirësimin e këtyre rrugëve dhe ndërtesave (Vazhdimi i rrugës pedonale “Kolë Idromeno” , zhvendosja e Fototekës “Marubi” në rrugën “Idromeno” etj.). Për t’i shtuar qytetit më shumë jetë artistike, do të rikonstruktohet plotësisht teatri “Migjeni”. Do të zgjerohet hapësira ekspozuese e muzeut historik “Oso Kuka” dhe do të ndërtohet Shtëpia e Artit.
Si do t’i jepni zgjidhje problemit të trafikut, infrastrukturës, plehrave dhe gjelbërimit në qytet?
Projektet mbi pastrimin, gjelbërimin dhe trafikun në qytet janë projekte tashmë të filluara, por për përmirësimin e tyre ne synojmë: Realizimin e projektit për kurorën e gjelbër të qytetit që shtrihet në zonën e kodrave të Tepes dhe Taraboshit. Rritjen e hapësirave të reja publike. Përfundimi i ndriçimit për çdo rrugë të qytetit dhe përmirësimi i ndriçimit ekzistues. Krijimi i një sistemi menaxhimi të integruar të shërbimit të mbetjeve urbane është synimi ynë madhor, duke filluar me mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve dhe kthimin në një sipërfaqe të gjelbër me një fond prej 200 milionë lekë. Plani i integruar në transportin publik mbështetet në zgjerimin e rrjetit në 8 nyje kryesore dhe krijimin e konkurrencës së transportit urban, duke ofruar shërbimin maksimal për komunitetin.
Cilat mendoni se janë pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit tuaj?
Përsa i përket kësaj pyetjeje, mendoj se duhet të jetë vetë elektorati që me votën e tij do të përcaktojë pikat e dobëta dhe të forta të kandidatit të PS-së. Nuk dua të marr rolin e kritikut, por do të dëshiroja që kandidati të gjendej më shumë në arenën programore dhe politike, duke bashkëpunuar më shumë për të krijuar një klimë të përshtatshme elektorale. Defekt shoh mungesën e një plani të strukturuar, të cilin ai duhej ta kishte tashmë për ta prezantuar para qytetarëve shkodrane. Kandidati nuk duhet të harrojë që kjo fushatë është për zgjedhje lokale dhe qytetarëve të Shkodrës u duhet dhënë serioziteti dhe respekti që ata meritojnë, duke iu larguar politikave shterpë.
A do të pranonit të bënit debat në TV me kundërshtarin tuaj?
Sigurisht që po, dhe kjo do të më jepte shumë kënaqësi. Sikurse ndodh në çdo vend të qytetëruar, debati i programeve dhe i alternativave është pjese e çdo fushatë politike, sepse është mënyra më e mirë për t’i treguar bashkëqytetarëve që je kudo prezent , është mënyra më e mirë për t’u dhënë mundësi atyre që ta njohin kandidatin me planet dhe projektet që ai ka përgatitur për ata.