Gencin e stimulojnë çmimet
Këngëtari Genc Salihu është ndarë shumë i kënaqur me çmimet që i ka fituar në Videofestin Muzikor 2011.
Këngëtari ka qenë i nominuar në katër kategori dhe në të katërtat ka triumfuar, përderisa marrjen e këtyre çmimeve e ka cilësuar si befasi.
“Kënaqësi shumë e madhe, shumë”, ishin fjalët e tij gjatë një bisede që Express e zhvilloi me këngëtarin.
“Kur të vlerësohet puna është një stimulim”.
Genci, i cili më parë nuk kishte qenë në tepihun e kuq në ndonjë festival të këtillë, ka thënë se edhe pse ka qenë i nominuar në katër kategori, nuk ka ardhur me ndonjë pritje për të marrë ndonjë çmim.
“T’ju them të drejtën kam ardh në këtë festival pa kurrfarë pritje, por ja që patëm sukses”, ka thënë këngëtari.
Ndryshe, shtatë vjet pas publikimit të projektit “Cute Babulja”, kantautori Genc Salihu ishte rikthyer vitin e kaluar në skenën kosovare, duke realizuar këngën “Rrugëve”.
Ky kompozicion është pjesë e albumit në përgatitje “Kangë e Venë”, i cili pritet të dalë në treg muajin e ardhshëm.
“Ne jemi munduar që të tregojmë të vërtetën në këtë videoklip dhe në këtë këngë. Dhe e vërteta e dëshmoi edhe një herë që gjithmonë del në sipërfaqe”, thotë tani Genci, duke shtuar se fakti që kënga është vlerësuar nga disa producentë të MTV’së tregon më së miri që do të jetë i motivuar për punë të mëtutjeshme.
Salihu ka folur edhe për spote të këngës, duke thënë se albumi i tyre do të del shumë shpejt në shitje. “Albumi do dalë, dalin edhe disa spote, një turne në Kosovë fillimisht, mandej edhe jashtë. Mendoj nëpër vende ku mund t’i marrin vesh tekstet shqip”. Sa i përket videoklipit të këngës “Rrugëve”, pas realizimit të tij ishte transmetuar në shumicën e televizioneve shqiptare, përderisa ky projekt muzikor u mbështet nga “Dit’ e nat’”.
Çmimet e fituara
Videospoti më i mirë i zhanrit rok- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti me regjinë më të mirë- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e meshkujve- Genc Salihu- “Rrugëve”
Videospoti më i mirë- Genc Salihu- “Rrugëve”