E Shtunë, 31 Tetor 2026

"General Motors" heq dorë nga mbrojtja ndaj falimentit

Sipas shefit ekzekutiv të gjigandes amerikane, "General Motors", kompania nuk është më nën mbrojtjen e mekanizmave kundër falimentit, pasi krijoi një kompani "të re ‘General Motors‘", e mbështetur tek asetet më të shëndetshme të kësaj shoqërie. Kreu i saj, Fritz Anderson, tha se ky ishte fillimi i "një epoke të re". "General Motors" i ri do të jetë më "i hollë", do të zotërojë katër markat kyçe, përfshi "Cadillac" dhe 61 për qind e aksioneve do t‘i përkasin qeverisë amerikane.

Shefi ekzekutiv, Anderson, tha se po vazhdonin negociatat për të shitur degën europiane të "General Motors", ku përfshihen markat "Opel" dhe "Vauxhall". "Do të jemi kompani me bilanc pozitiv, do t‘i shlyejmë borxhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe do jemi përsëri mes më të mirëve në botë", tha Anderson.

"General Motors" i ri do të numërojë më pak punëtorë, rrjet më të vogël shpërndarjeje dhe më pak borxhe. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ketë 27 mijë punonjës më pak nga më parë dhe do të shfrytëzohen impiantet amerikane më pak se vitin e shkuar. Do ta përqendrojë aktivitetin vetëm te degët më të mira të kompanisë: "Chevrolet", "Cadillac", "Buick" dhe "GMC". Markat e tjera si "Hummer" dhe "Saab", do të shiten.

Mësohet se kompania ka në plan t‘i shlyejë borxhet e marra nga qeveria amerikane më parë se kufiri i vitit 2015. Firmës i është akorduar një financim prej 60 miliardë dollarësh nga Thesari amerikan, gjë që e bën qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës zotëruese të 61 për qind të aksioneve të "General Motors" së re, ndërkohë që Unioni Punonjësit e Bashkuar të Autoveturave do të zotërojë 17.5 për qind. Qeveria kanadeze do të zotërojë 12 për qind të kompanisë, ndërsa aksionerët e tjerë rreth 10 për qind.

Burime zyrtare nga kompania thanë se kishin ndër mend t‘i hidhnin përsëri aksionet e saj në bursë, me t‘u paraqitur mundësia. Qeveria amerikane ka bërë me dije se nuk ka ndër mend të përfshihet në operacionet e menaxhimit të përditshëm të kompanisë së re të autoveturave. U bë gjithashtu me dije se "Generals Motors" ka ndër mend të nisë një partneritet me agjencinë e shitjeve në internet, "eBay", për të lehtësuar blerjen e veturave të saja nga konsumatori amerikan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›