Gënjeshtra 500-vjeçare?

Kuratori Stamati sqaron se aktualisht po punon në zbardhjen e së vërtetës, për shkak të dyshimeve të ngritura kohë më parë lidhur me origjinalitetin e shpatës së Skënderbeut, që ndodhet në Muzeun Historik, në Vjenë. Bashkë me përkrenaren e famshme me brirë dhie, shpata do t'i huazohet Tiranës për ekspozim në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Stamati, që është shef i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Restaurimit, thotë se studimi i tij nuk është historik, por teknik, por ai do të zbardhë një sërë çështjesh të pathëna ndonjëherë, si dhe do të ndihmoj në caktimin e vërtetësisë së tyre.
"Studimin nuk e kam përfunduar ende", shprehet Stamati për NOA, derisa sqaron se Muzeu i Vjenës disponon dokumentacionin për blerjen e këtyre armëve të Skënderbeut dhe të mënyrës sesi janë trashëguar.
"Shkaqet se përse nga ndonjë person ngrihen dyshime mendoj se janë të karakterit dokumentar, sepse kërkohet rritja e sigurisë. Nganjëherë skeptikët të shtyjnë të ecësh përpara. Ata bëjnë më shumë dobi se dëm, për shkak se të vërtetës i afrohesh më pranë. Unë po punoj në këtë drejtim", theksoi ai.
Në fakt, Faik Konica ishte i pari që shprehu dyshimet e veta për origjinalitetin e armëve të heroit kombëtar, të cilat ndodhen në Vjenë. Të njëjtën gjë e bëri edhe historiani, Oliver Schmitt, i cili kreu një studim të thellë për Skënderbeun. Për dy shpatat që ndodhen në Muzeun vjenez të Armëve - njëra e gjatë 90, e tjetra 31 centimetra – Schmitt konsideron se nuk janë përdorur fare nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Sipas historianit Schmitt, hulumtimet - nga aspekti historik i armëve- tregojnë se shpata e gjatë është një armë tipike nga Bohemia, dhe ajo zor që ishte pronë e Skënderbeut.
"Ndërkaq, arma më e shkurtër, me teh të drejtë, edhe mund të jetë prodhuar në Ballkan, megjithëse shënimi në arabisht përmban gabime. Së këndejmi, është vështirë të merret me mend se Skënderbeu, i cili i njihte gjuhët, do ta kishte pranuar një falsifikim të tillë", thekson Schmitt në Biografinë e Skënderbeut.
"Kjo shpatë është një punim elegant dhe me vlerë. Si e tillë, ajo mund të gjendet vetëm në koleksionet e sulltanëve, në Sarajin Topkapi. Por, Përkrenarja, sipas të gjitha gjasave, është prodhuar në Venedik, diku në fillim të shekullit XVI, kurse më vonë ka përfunduar në koleksionin artistik të arqidukës Ferdinandi i II’të, në kështjellën Ambras, në Tirol", pohon tutje ai.
Schmitt madje supozon se - për shkak të formës së shkrimit në përkrenare - ajo zor që mund të jetë e prodhuar në shekullin XV, megjithëse, sipas tij, mbase origjinale janë brirët e dhisë në përkrenare – një element ky qendror simbolik, që tregon famën e Skënderbeut, diçka sikurse tek Leka i ri i Madh.
Në dhjetor të vitit 1466, nga Papa Pali i II’të Skënderbeu kishte marrë si dhuratë një shpatë elegante, e cila nuk dihet ku ka mbetur në ndërkohë.
Pas shumë kërkesave të Shqipërisë, Muzeu Historik i Artit, në Vjenë, është bindur që lejojë ekspozimin e këtyre armëve në kryeqytetin shqiptar.
Më 23 korrik të këtij viti, tre ekspertë të këtij muzeu - Beaufort Christian, Selvia Ferino dhe Florian Raunig – vizituan Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë. Sipas shefes së muzologjisë dhe historisë së këtij muzeu, ata parimisht u pajtuan për sjelljen në Shqipëri të armëve të Skënderbeut.
Premtimi për lejimin e sjelljes së këtyre eksponateve për ekspozim në Tiranë ishte bërë edhe nga ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger, gjatë takimit me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, në Samitin vjetor të Dubrovnikut, që u mbajt në fillim të këtij muaji.
Kërkesa për sjelljen e armëve të Skënderbeut në Shqipëri janë bërë disa herë, që nga koha e Zogut. Hera e fundit ishte në kohën kur po shënohej 600-vjetori i lindjes së Skënderbeut. Por, përgjigjja gjithmonë ishte negative, me pretekstin se rregullat e muzeut nuk e lejonin lëvizjen e artefakteve kaq të rëndësishme prej atje.