E Diel, 1 Nëntor 2026

Gënjeshtra politike e Preç Zogajt dhe mungesa politike e Spartak Ngjelës

22-09-2011 / Nga Artur Bego

Posttryeza e opozitës “Nuk ka mungesa politike në këtë tryezë. As e z. Ngjela nuk është mungesë politike”, deklaroi dy ditë më parë në përfundim të tryezës së opozitës, zëdhënësi i saj Preç Zogaj. “Nuk shkova (në tryezë) sepse nuk ishte vendi për të marrë një ndërmarrje serioze politike”, deklaroi dje, një ditë pas tryezës së opozitës, Saprtak Ngjela, kryetari i partisë opozitare PLD. Dy deklarimet e mësipërme të lëshuara nga dy persona të ndryshëm (por të së njëjtës parti, PLD-së), na japin dy panorama të ndryshme në harkun kohor të 24 orëve. Panorama e parë ka të bëjë me “gënjeshtrën politike” (për “mungesën jopolitike” të Spartak Ngjelës) të Preç Zogajt. Ndërsa panorama e dytë ka të bëjë me “sinqeritetin politik” (për “mungesën politike”, sipas Preç Zogajt) të Spartak Ngjelës. Të mendosh, apo të artikulosh, se pas këtyre deklarimeve, opozita, përfshi edhe përfaqësuesit e saj, nuk e dinë ku janë, është e tepërt. Po ashtu, ca më e tepërt është që të mendosh e të artikulosh, se në PDL, kryetari i saj (Spartak Ngjela) dhe anëtari i vetëm “baza” e kësaj partie (Preç Zogaj), nuk dinë asgjë për vendndodhjen dhe qëndrimet e njëri-tjetrit. Por, ama nuk mund të mos mendohet dhe të mos artikulohet se opozita, me apo pa Skënder Gjinushin, Vangjel Dulen, dhe Spartak Ngjelën, është shndërruar në një rrumpallë e përfaqësuar nga “bijat” e saj, PSV-të e Petro Koçit dhe Gjergji Kojës, por edhe nga i biri i një prokurori, persekutor politik dhe në mënyrën më absurde, krahu i djathtë i tij (Ervin Metes), ishte një i persekutuar politik (Kurt Kola). E çuditshme, por e vërtetë... Ndërsa i biri i prokurorit persekutor politik, në çdo kohë e di dhe “nuk i ndahet” të persekutuarit të babait të tij, Preç Zogaj, nuk e di ku është kryetari i partisë së tij, Spartak Ngjela. A thua Preç Zogaj, i cili nuk di ku e ka kryetarin, ta di me siguri atë tjetrën, se kryetarët e PSD-së dhe PBDNJ-së, respektivisht Skënder Gjinushi dhe Vangjel Dule, të kenë qenë vërtetë jashtë kufijve administrative të Shqipërisë? Duhet guxim i madh, për të justifikuar “mungesën ‘me arsye’, jopolitike”, të Skënder Gjinushit dhe Vangjel Dules. Sa për “doktrinën” e opozitës, “të ndriçuar” dy ditë më parë dhe të artikuluar nga Preç Zogaj, sipas së cilës, “partitë pjesëmarrëse në këtë tryezë ranë dakord që të punojnë si një subjekt i vetëm politik”, është një thagmë e madhe, që as vetë zëdhënësi i opozitës nuk e beson..., të paktën që dje. Këtë nuk ka se si ta besojë, sepse..., sepse..., si anëtar i PLD-së, Preç Zogaj duhet të “përqafojë” (të paktën që nga dje), “doktrinën” e Spartak Ngjelës, kryetarit të partisë së tij, sipas së cilës ajo (“doktrina” e Spartak Ngjelës) “... është në lidhje me reformën e gjyqësorit, problemet e kushtetutës, çështja e prokurorisë, institucioni i presidentit, duhet të jetë kështu siç është ose jo...”. Sikurse shihet (krahasimisht), dy “doktrina” të ndryshme, lënë pak vend (për të mos thënë aspak), që edhe Preç Zogaj të besojë se si anëtar i PLD-së, me kryetar Spartak Ngjelën, të jetë pjesë e një “subjekti të vetëm politik” (pa Spartak Ngjelën, kryetarin e partisë së tij PLD). Aha... Sa për atë tjetrën, arsyen tjetër të refuzimit të Spartak Ngjelës, për të mos u bërë pjesë e tryezës së opozitës, për shkak se nuk i pëlqen vendi “jopublik”, sikurse zyrat e PDK-së, kjo zbulon edhe një gjë tjetër, po aq të rëndësishme..., garën e ethshme dhe xhelozitë që kanë ngërthyer Nard Ndokën e Spartak Ngjelën, deri në atë masë sa nuk duna ti shohin..., “as zyrat”..., njëri-tjetrit... Edhe “këtë kishte mangët opozita”..., që ndërsa nga njëra anë Skënder Gjinushi e Vangjel Dule “të harrojnë” të kthehen nga jashtë shtetit..., dhe nga ana tjetër Nard Ndoka e Spartak Ngjela, të mos e fshehin “idhnimin” ndaj njëri-tjetri, deri në atë farë mase, sa as në zyrat respektive të mos pranojnë “të shkelin”... Megjithatë, situata nuk është kaq e errët sa duket..., sepse..., sepse..., “shtyllat” e opozitës, Ervin Mete kreu i G 99-ës, i biri i një prokurori persekutor politik dhe Kurt Kola, një i persekutuar politik, janë aty stoikë..., në “opozitën e bashkuar”...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›