E Diel, 1 Nëntor 2026

Genocidi armen, Turqia tërheq ambasadorin nga Franca

ANKARA – Ankaraja zyrtare tërhoqi ambasadorin e saj nga Franca, mënjeherë pasi Parlamenti Francez miratoi një projektligj që e konsideron të jashtëligjshëm mohimin e genocidit osman kundër armenëve, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Projektligji parashikon dënimin deri në një vit heqje lirie dhe 45 mijë euro gjobë për të gjithë ata që mohojnë genocidin armen. Mësohet se ambasadori turk Tahsin Burcuoglu do të largohet nga Parisi ditën e premte, ndërsa paralajmërohen edhe masa të tjera të cilat pritet të bëhen të ditura nga vetë Kryeministri turk Erdogan.

Ndërkohë, protesta të mëdha u organizuan përpara institucioneve nga shtetasit turq me banim në Francë, të cilët mbanin pankarta në të cilën kujtohej e shkuara e errët kolonialiste e vendit.

Turqia mohon që Perandoria Osmane të ketë kryer një genocid sistematik ndaj popullsisë armene në vitet 1915-18. Sipas të dhënave turke, 300 mijë armenë humbën jetën pasi u rreshtuan në radhët e ushtrisë ruse.

Sipas armenëve, 1,5 milion civilë u ekzekutuan, në atë që ishte një spastrik etnik, i dyti më i madh në histori, pas Holokaustit që nazistët realizuan ndaj popullsisë hebrehe.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›