E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gentilini: Dialogu për vizat do të fillojë

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini, ka thënë se konkluzionet e miratuara nga shefat e shteteve anëtare të BE-së paraqesin një hap të rëndësishëm përpara dhe se tashmë është e qartë se dialogu për viza do të fillojë dhe se Kosova do të përfitojë nga liberalizimi i vizave kur të plotësohen të gjitha kushtet.

Ai përmes një komunikate për media ka përkujtuar se Këshilli ka vendosur të shqyrtojë marrëveshjen kontraktuale me Kosovën dhe të hapë programet e BE-së për Kosovën.

“BE, po ashtu, pranon se anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të rrisë zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. E gjithë kjo është shumë pozitive dhe paraqet një arritje shumë të prekshme”, ka thënë Gentilini.

Ai kërkon që Kosova të dyfishojë përpjekjet dhe përqendrimin në adresimin e sfidave, dhe shtyrjen përpara të procesit të reformave, duke përkujtuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut konstruktiv me Serbinë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve përkatëse.

Gentilini përgëzon institucionet dhe popullin e Kosovës për progresin e arritur gjatë kësaj jave në agjendën Kosovë-Bashkimi Evropian.

“Jam shumë i inkurajuar nga ajo që kam parë gjatë periudhës së fundit në Kosovë dhe në Bruksel, sa i përket lëvizjes përpara të agjendës Kosovë - BE”, është shprehur Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas kthimit nga vizita në Bruksel ka përshëndetur konkluzionet e samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, që për Kosovën parashohin hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim - EBRD.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›