E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendosja e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, kapitull i ri historik

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka përshëndetur konkluzionet e samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, duke thënë se mesazhet e dhëna për Kosovën janë shumë të qarta.

Ai në një konferencë për media të shtunën ka thënë se samiti i djeshëm konfirmoi konkluzionet e Ministrave të Jashtëm, që për Kosovën parasheh hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim - EBRD.

“Duke pasur një të tretat e qytetarëve në diasporë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, për familjet tona, procesi i liberalizimit ë vizave është mbase më i rëndësishmi. Por, si kryeministër, vlerësoj se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në përmes marrëveshjes tregtare dhe qasjes në programet e komunitetit shënon një kapitull të ri historik për relacionin në mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, është shprehur kreu i ekzekutivit vendor.

Duke pranuar se Kosovën e presin dhe shumë sfida, sidomos në fushën e rendit të ligjit, kryeministri Thaçi premtoi se të gjitha detyrat do t’i përmbushin në një afat rekord.

“Kosova ka përpara një ofertë shumë ambicioze. Mund dhe do ta bëjmë Kosovën evropiane”, është shprehur ai.

Thaçi, po ashtu, tha se në samitin e liderëve të BE-së është konfirmuar qasja konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi, e cila shkon në dobi të vendit tonë.

“Kosova është zotuar për fqinjësi të mirë. Ne duam dhe do të punojmë në ndërtimin e raporteve me gjithë fqinjët tanë, po ashtu edhe me Serbinë“, tha ai. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›