E Shtunë, 31 Tetor 2026

George Danden Franc Helmer: Folklor shqiptar në veprën e Molierit

Regjisori francez flet për eksperiencën e tij me teatrin bilingual dhe tregon për premierën, që do të ngjitet në skenë në datën 23 mars
George Danden, ose Bashkëshorti konfuz një nga komeditë më të veçanta të Molierit pritet që të vihet në skenë e Akademisë së Arteve. Teatri i Metropolit si pjesë e Qendrës Kulturore Tirana do të nisë sezonin e tij artistik me këtë kryevepër të Molierit. I ftuar për të vënë këtë pjesë në skenën teatrore shqiptare është regjisori i njohur francez  Franc Helmer. Ai ka disa ditë që po zhvillon provat me aktorët shqiptarë, por dhe ato francezë. Shfaqja teatror do të vijë për publikun në një mënyrë ndryshe nga ajo që ndiqet në skenën teatrore në vendin tonë. Vepra e Molierit George Danden do të vijë për publikun si një teatër bilingual( dygjuhësh) në gjuhën shqipe dhe atë franceze. Kasta e aktorëve përbëhet nga tetë emra të rinj të teatrit si: Adelina Muça e cila do të interpretojë Anzhelikën, Alert Çeloaliaj do të jetë personazhi Dandin,etj. Në një prononcim dhënë për gazetën regjisori francez Helmer tregon se pjesa do të vijë në një mënyrë shumë interesante. Ajo do të përmbajë brenda saj dhe folklorin shqiptar, pasi në vitin 1668 kur u shkrua nga Molieri vepra kishte dhe muzikën franceze. Teatri do të jetë i ndërthurur me muzikë. Do të ketë pjesë nga folklori shqiptar, i cili do ti japë dhe më shumë atmosferën e fshatit në këtë vepër të Molierit, i cili është dhe shpikësi i komedisë muzikore, dhe prandaj dhe në këtë vepër ne do të kemi dhe muzikë shqiptare. Meqë pjesa zhvillohet në fshat folklori shqiptar e evokon dhe më shumë atmosferën e fshatit,u shpreh regjisori francez. I pyetur për shfaqjen që do të jetë në dy gjuhë ai u përgjigj se me anë të kësaj takohen dy kultura të ndryshme. Unë kam mbi 30 vjet që punoj dhe kam qenë në shumë vende të botës. Teatri bilingual është i rëndësishëm sepse me anë të tij bëhet dhe shkëmbimi mes kulturave të ndryshme. Shfaqja do të jetë në dy gjuhë dhe shpresoj që ajo të lërë shije tek publiku, cilësoi ndër të tjera francezi Helmer. Disa nga vështirësitë e veprës sipas tij janë: Jemi të detyruar që të kemi një përkthyes dhe të përpiqemi që të bëjmë gjëra të ndryshme dhe të kuptohen. Sipas regjisorit francez aktorët shqiptarë janë shumë të mirë. Ata punojnë me pasion dhe janë të aftë. Aktorët janë shumë të mirë, janë shumë të këndshëm dhe ky projekt i argëton, shprehet regjisori francez. Më tej gjatë prononcimit të tij ai u shpreh se nuk dinte shumë për teatrin shqiptar, por këtë vepër në skenën shqiptare ai shikonte si një sfidë. Unë kam shumë vite që punoj, por nuk jam njohur me teatrin shqiptar. Unë shikoj që aktorët janë të mirë dhe se këtë vepër të Molierit unë e shikoj si një sfidë në skenën teatrore, theksoi Helmer.  'Komedie të zezë' e Molierit, e cila ndonëse u krijua në korrik të 1668, vazhdon të bëjë xhiron e teatrove më prestigjioze në të gjithë botën, dhe të mbetet gjithmonë aktuale për idetë që përçon. "Zhorzh Dandeni" është një pjesë e veçantë që e vë spektatorin në siklet, sepse e qeshura që shkakton Molieri ka diçka gërricëse. Janë brenda saj të gjitha elementet e "komikes" (farsa/keqkuptimi/situata).Është e kotë të kërkosh në këtë pjesë një personazh simpatik. Tek Molieri, mizoria shkrihet shpesh në një pështjellim portretesh ku satira sociale kombinohet me defektet e karakterit. Por në këtë pjesë satira bëhet akoma më e gjallë, e përforcuar nga frekuenca e monologëve të Dandenit, ku burri i vetmuar në dëshpërim, qahet për gjendjen e tij, i përqeshur dhe i përbuzur. Por Molieri është shumë i hollë për ta bërë atë një viktimë të pafajshme. Zhorzh Dandeni është gjithashtu një lakmitar i vrazhdë, i babëzitur për të ngjitur shkallët sociale, i gatshëm për të gjitha ujditë që ia lejon pasuria. Ai e ka blerë me para dorën e Anzhelikës tek prindërit e saj, duke shpërfillur ndjenjat e saj. Dhe gruaja e tij  nuk lë rast pa ia kujtuar. E lehtë, e joshur nga lajkat ajo mbart gjithashtu rebelimin e një gruaje të zhveshur nga të drejtat, e detyruar të heqë dorë nga dëshirat dhe nga liria e saj. Ajo nuk mund të pajtohet me këtë. Autenticiteti i ndjenjave del nga monologët e Dandenit, dhe nga debatet e gjalla të këtij çifti të çalë. Rreth dy bashkëshortëve vërtiten lakmia e shërbëtorëve të kompromentuar, hileja e Klitandrit, hipokrizia e vjehrrit dhe vjehrrës. Përballë këtij mediokriteti ngrihet revolta e një gruaje dhe ankthi i një burri. Vepra George Danden do të ngjitet në skenë teatrore në datën 23 mars. Puna që po bën regjisori francez Helmer së bashku me kastën e aktorëve të rinj, premton për një shfaqje të veçantë në skenën e Akademisë së Arteve.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›