E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lustracioni si tek filmi, E dashura ime Libera!!

Besi Bekteshi
Nuk kishte dyshim që Gjykata Kushtetuese do të pezullonte ligjin e Dosjeve ose Lustracionin, sepse kjo gjë jo vetëm ishte e paralajmëruar, por edhe e paragjykuar në origjinë e gjitha kjo maskaradë. Në qoftë se është bërë ndonjëherë paçavure e pa ndershme me ndonjë ligj, ky është një shembull tipik që vlen po të kishte njësi matëse të tillë të ruhej në Sevër të Parisit si etalon mase për kodoshllek politik në një pikë nevralgjike për memorien e lënduar të një populli. Nuk është për tu pasur në respekt një vendim i tillë i GJK, sepse padyshim ky vendim është një hap në drejtimin e paragjykimit të ashpër politik, sepse ka dy të vërteta brenda. Njëra është se lustracioni ka përballje të rrezikshme me kushtetutën dhe e dyta është se në GJK ka njerëz që duheshin larguar me kohë sepse nuk mund të lustroheshin kurrë në biografinë e tyre.
Por kur punët bëhen kështu natyrisht që do të ketë monstruozitete ligjore, që nga do që ti komentosh, vetëm neveri të sjellin dhe të bëjnë të mendosh se jemi kaq larg me demokracinë, aq sa na duket nga distanca e madhe, si një mirazh apokaliptik që prej dhunës së tmerrshme ideologjike që na sondon, na largohet sa herë i afrohemi. Por duke mos u komentuar më, paaftësia e maxhorancës që të kopsitin një ligj lustracioni me qëllim të saktë dhe jo me target, tani ju duhet thënë të majtëve në Shqipëri dhe sidomos socialistëve, se çfarë ju mungon në të gjithë politikbërjen e tyre të sotme. Për ato që janë më shumë se 40 vjeç dhe që për "fat ka në lidershipin socialist, është e mira të kujtojnë filmin italian të shfaqur nga vitet e diktaturës i titulluar E dashura ime Libera. Filmi në fjalë është një demaskim i Italisë së mbas luftës në konceptin e riciklimit të kriminelëve fashistë, të cilët kishin vrarë, persekutuar dhe burgosur, jo vetëm komunistët italianë, por edhe antifashistë të vendosur, që mund të ishin si demokristianë dhe socialistë. Patjetër që filmi në ato kohë ishte një pasion dhe sponsorizim komunist i pikërisht Partisë Komuniste të Berlinguerit, por edhe një film i autorëve të majtë italianë, jo të ardhur në pushtet, por që në kinematografi, media dhe kulturë, ishin mjaft të fortë. Libera, ishte një grua antifashiste me ideale komuniste, që u përpoq duke harruar edhe familjen, në luftë me fashistët dhe kolaboracionistët e tyre dhe për këtë u persekutua dhe u burgos. Kur Italia u çlirua, ajo doli nga burgu dhe mbasi u përqafua me të birin e saj partizan, filloi jetën  re, por nuk kishte shtëpi. Ajo vesh një fustan të kuq, (rolin e saj e luan e madhja Klaudia Kardinale)  shkon në zyrat e duhura dhe shikon aty një prej fashistëve më të mëdhenj dhe të poshtër që i kishte bërë gati tre dhoma dhe një kuzhinë. E çmendur nga paturpësia e shtetit në ndërtim, shkon në zyrat e larta të pushtetit dhe aty merr vesh se ajo e ka bërë të gjithë luftën kot dhe që tani i duhet të durojë edhe fashistët mbi kokën e saj. Largohet me tmerr dhe zhgënjim total, dhe mbasi kishte bërë pazarin, vritet në një urë, nga një snajper fashist, duke përfunduar kështu jetën e saj. Kjo ishte e gjitha në film!! Tani këtë film është për tju ja shfaqur dhjetë herë në ditë, një pjese të socialistëve shqiptarë dhe kësaj radhe jo për idealin e dikurshëm të tyre, sepse regjimi gjakatar i Hoxhës, Nexhmijes dhe Alisë, nuk kanë vrarë vetëm antikomunistë, por në të gjithë periudhën e tyre që nga 1941 e deri në 90- tën, kanë vrarë dhe persekutuar, akoma më shumë idealistë komunistë që e kanë dashur vendin e tyre megjithëse kishin ideal që më vonë doli një gjë utopike. Ndoshta sot, në këtë parti kanë mbetur vetëm vazhdueshmëria e anëtarëve të leverdisë me ideal vetëm mbijetesën e ngjizur si bashkim i poshtërsisë dhe gënjeshtrës morale të asaj kohe.
Pavarësisht të devijimit prokurori dhe gjykata, që maxhoranca i ka bërë ligjit, por është e tmerrshme që në të gjithë ngrehinën shtetërore dhe drejtësinë shqiptare, por edhe politikën e saj të mbrapshtë, të shikosh akoma njerëz të kallëpit të poshtër, jo vetëm të persekutimit nga dosjet e sigurimit, por edhe të kriminalitetit partiak nga PKSH-ja dhe PPSH-ja. Të shkosh në një zyrë gjykate dhe të shikosh një njeri që ka urdhëruar vrasje politike, të shikosh si dikur kryegjyqtarë që kanë qenë persekutorë politikë. Të shikosh background- e politike familjare të spiunimit dhe të persekutimit, që për më tepër të shesin mënd sot. Po ashtu edhe pse përbën shkelje të Kushtetutës, të lejosh të vijnë në krye të GJK-së dhe pastaj të kërkosh të heshtin, sepse kanë konflikt me ligjin e ri persekutorë të dikurshëm!! Ti shikosh kudo në media dhe në pushtetet partiake të tillë konflikte interesi. Ti shikosh të pasur dhe të rregulluar jo vetëm nga pushteti i socialistëve e jo si liri e demokracisë, por edhe nga asgjë-lustracioni  i demokratëve, kjo është akoma më keq se te Libera amore mio. Janë gjallë dhe në të gjitha pushtetet dhe kanë edhe moralin që të mbajnë pretenca të sotme, me idealin demokratik. Kjo është e gjitha në realitet!!!. Ashtu si fashistët italian arritën të vrasin Libera-n në film, ashtu në realitet edhe socialistët shqiptarë, por edhe demokratët po vrasin përditë moralisht dhe shpesh herë edhe fizikisht të gjithë ato që u persekutuan dje, për të parë këtë maskaradë sot. Përndryshe së paku do të ishin mbledhur bashkë për të bërë ligjin, siç bënë ligjet e tjera të zgjedhjeve, dhe Lustracioni nuk do ti binte ndesh kushtetutës dhe po ashtu nuk do të kishte objeksionet e ndërkombëtarëve, por edhe mungesën e pezullimit nga Kushtetuesja jonë që ka brenda njerëz për tu lustruar dhe ilustruar.
Po si mund tju dalin përpara të gjithë atyre që kanë vuajtur nga persekutorët, kur bëjnë të tilla lojëra të ndyra, me ndjeshmëri të madhe jetësore dhe në memorien e vrarë të shqiptarëve?!! Po, e bëjnë se nuk kanë kurrfarë ideali dhe sidomos janë larg demokracisë. Kaq larg sa që në koshiencën e tyre është ngritur kulti i kryeveprës në të keq. Kryevepra më e madhe e të gjithë veprave deri tani të kultit për të keq është dështimi me qëllim dhe i përbashkët i klasës politike,  për Lustracionin dhe kjo do të thotë shumë. Do të thotë se në këtë vend akoma jetojnë fantazmat e diktaturës, bëmat e tyre, jetojnë qelepirxhinjtë e fundit të diktaturës dhe po ashtu fëmijët e xhelatëve që vranë, spiunuan, deklasuan dhe internuan atëherë, për t\u tallur sot edhe me ligjin, që duhej të kishte pastruar shoqërinë nga plehrat e djeshme.

Last Updated on Tuesday, 17 February 2009 13:24

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›