Historia/ Barazimi në Mielec, një xhevahir kuqezi

Pothuajse 24 vjet më parë, më 31 tetor 1984, Shqipëria arriti një rezultat të madh në arenën ndërkombëtare, duke barazuar 2-2 në Poloni, kundër një prej skuadrave më të mira në Evropë, e renditur e treta botërorin Spanjë '82. Golit të shënuar në pjesën e parë nga i famshmi Smolarek, kuqezinjtë e Shyqyri Rrelit iu përgjigjën në pjesën e dytë me ata të shënuar nga Bedri Omuri e Agustin Kola. Megjithëse epërsia shqiptare nuk zgjati deri në fund, pasi polakët barazuan 2-2, ajo ishte një nga ndeshjet më të mëdha të kombëtares kuqezi, e cila do të pasohej pak javë më vonë nga fitorja kundër Belgjikës. Ajo ndeshje mbetet kulmi i Shqipërisë kundër Polonisë, edhe pse ndaj kundërshtarëve të nesërm kemi arritur edhe një fitore. Më 29 nëntor 1953, Shqipëria mposhtte 2-0 polakët në "Qemal Stafa", falë golave të shënuar nga Loroi Borici dhe Refik Resmja. Që atëherë, do të mbetet fitorja e vetme e Shqipërisë në dhjetë ndeshjet e zhvilluara deri tani. Polakët kanë arritur 6 fitore, ndërkohë që tri ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim. Ndeshja e fundit midis dy skuadrave është zhvilluar në maj 2005, në Poloni, dhe është fituar nga vendësit me një gol të shënuar që në minutën e parë.
Muaji i preferuar
Maji është muaji i preferuar në ndeshjet midis Polonisë dhe Shqipërisë. Takimi i nesërm në Rojtlingen do të jetë i pesti që luhet në maj, ndërkohë që nga tri ndeshje janë luajtur në tetor dhe nëntor.
Loro Borici
Futbollisti i famshëm është shënuesi më i mirë i ndeshjeve midis Polonisë dhe Shqipërisë, për të dyja skuadrat. Borici ka shënuar dy herë në portën polake, nga shtatë gola gjithsej të kuqezinjve. Edhe nga skuadra polake nuk ka asnjë lojtar me dy gola kundër Shqipërisë.
Shyqyri Rreli
Trajneri veteran e ka drejtuar katër herë kombëtaren e Shqipërisë kundër Polonisë, duke arritur një barazim e tri humbje, që nga viti 1984 deri më nëntor 1989. Loro Borici është i vetmi që është ndeshur me polakët si lojtar e trajner.