E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdec, Oketa: Dy rreziqet që na shqetësojnë



“Rrezik shpërthimi brenda zonës së rrethuar”

“Pjesa tjetër konsiderohet rreziku ambiental”

Ministria e Mbrojtjes iu druhet të tjera shpërthimeve në Gërdec. Predhat e groposura në thellësinë e tokës përbëjnë një rrezik evident në zonën e dëmtuar më 15 mars. Ndaj, pavarësisht një pune të pandërprerë, për shmangien e rreziqeve të tjera në Gërdec, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shpreh shqetësimin e pasigurisë në këtë zonë. Mundësia e shpërthimit të predhave të tjera, të groposura thellë nën tokë dhe ndotja e agjentit janë dy rreziqet, për të cilat Ministria e Mbrojtjes shqiptare po mundohet t’i shmangë me çdo kusht. Qëllimi i saj është garantimi i jetës së banorëve të zonës së dëmtuar më 15 mars. Gjithsesi ministri Gazmend Oketa pranoi dje se ekziston rreziku i shpërthimeve në zonën e Gërdecit. Ai shpjegoi se nëse do të ndodhte një gjë e tillë, do të sillte një katastrofë të dytë për shkak të lëndëve kimike. “Mund të flitet për dy rreziqe. Rreziku i një shpërthimi të mundshëm brenda zonës së rrethuar, i cili normalisht është një rrezik që ne punojmë çdo ditë për ta evituar”, - tha z. Oketa. Por sipas tij, pjesa tjetër e rrezikut konsiderohet rreziku ambiental. Ministri vë në dukje faktin se është njohur me analizat e bëra aktualisht, për të cilat shprehet i sigurt se nuk përbëjnë rrezik për banorët. Unë jam njohur me analizat e bëra qoftë të ajrit, të ujit apo të tokës. Dhe deri më tani nuk më rezulton të ketë shqetësime të ndotjes ambientale”, - u shpreh ministri Oketa. Pasiguria në Gërdec është një nga debatet më të mëdha të hapura në Ministrinë e Mbrojtjes, e cila ende është e pasigurt për jetën e banorëve në këtë zonë. Dikasteri që drejton Gazmend Oketa iu druhet shpërthimeve të tjera në Gërdec. Megjithatë, sipas ministrit Oketa, deri tani është bërë një punë e mirë në largimin e mbetjeve nga predhat e shpërthyera nga zona, por mbetet një punë e madhe në nxjerrjen e predhave aktive që ndodhen të groposura thellë në tokë. Në këtë proces kanë ndihmuar dhe forcat e specializuara, të cilat erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar Ministrinë tonë të Mbrojtjes. Nga ana e saj, Prokuroria e Përgjithshme po heton shkaqet që çuan në shpërthimin tragjik të 15 marsit në Gërdec, si pasojë e cilit gjetën vdekjen mbi 20 persona dhe shumë të plagosur. Pikërisht çështja e hetimit nga organi i akuzës është bërë shkak për debate të herëpashershme mes pozitës dhe opozitës. Nga ana e saj, qeveria është shprehur e gatshme për të ndihmuar organin e akuzës mbi hetimin pa u bërë në asnjë rast pengesë për vijimësinë e këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›