E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarët, nën lupën e Autoritetit të Kontrollit të Figurave

Çdo zyrtar i shtetit do të kalojë nën lupën e Autoritetit të Kontrollit të Figurave, një organ zëvendësues i komisioneve të mëparshme “Mezini” dhe “Berzhani” dhe me një mandat 5-vjeçar. Pas ekzaminimit, identiteti i subjekteve të kualifikuar si të papajtueshëm për të vazhduar detyrën bëhet publik në faqen zyrtare të autoritetit. Këtë parashikon qartë projekti i mazhorancës për pastrimin e figurave, ose thënë ndryshe, ligji i ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit. PD-ja është në pritje të konsensusit të opozitës në Kuvend për miratimin e ligjit. Projektligji “Për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve”, nëpërmjet kontrollit ligjor të funksionarëve të lartë, synon pastrimin e politikës shqiptare dhe të administratës publike, të sistemit të drejtësisë dhe të diplomacisë, të sistemit arsimor dhe të medias, si dhe të sektorëve të tjerë publikë, nga individë të cilët me veprimtarinë e tyre legale apo ilegale për ish-Sigurimin e Shtetit dhe në shërbim të tij, kanë sjellë shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut për individë dhe familje, të cilët përbënin një pjesë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Si pasojë e aktivitetit të këtyre individëve në shërbim dhe të lidhur me ish-Sigurimin e Shtetit, shumë qytetarë shqiptarë të pafajshëm u burgosën, u internuan (ku një pjesë e madhe edhe vdiqën në kampet e internimit), sikurse një pjesë tjetër u vranë me apo pa gjyq, për motive të mirëfillta politike. Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, është një detyrim politik dhe moral i klasës politike shqiptare, jo vetëm ndaj shoqërisë shqiptare, por edhe ndaj historisë së vendit tonë. Gjithashtu, miratimi i këtij ligji është një detyrim moral ndaj shtresës së ish-të persekutuarve politikë, të cilët vuajtën për dekada me radhë tmerrin e diktaturës më të egër komuniste nga ish-blloku komunist. Subjekti i verifikimit, sipas këtij ligji, janë të gjithë funksionarët publikë, të zgjedhur apo të emëruar, të cilët aktualisht ushtrojnë apo do të ushtrojnë një nga funksionet e mëposhtme: Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe të dekretuarit nga Presidenti i Republikës; deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe të zgjedhurit nga Kuvendi; anëtarët e Këshillit të Ministrave, zëvendësministrat, sekretarët e Përgjithshëm, funksionarët politikë, drejtorët e Përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në strukturat e tjera shtetërore; anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjyqtarët e prokurorët e të gjitha niveleve të gjykatave dhe prokurorive; funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas rangjeve të caktuara në pikën c: Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë; funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe “Kolonel”; prefektët, kryetarët e këshillave të qarkut, si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave; anëtarët e këshillave të qarkut, si dhe të këshillave bashkiake etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›