E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: KLSH-ja të hetojë shitjet e energjisë

LSI-ja i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit që të aktivizohet për të hedhur dritë mbi afera, të cilat i cilëson si të dyshimta, të shitjes së energjisë. Nënkryetarja e kësaj partie, Filloreta Kodra, tha se dje qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë e kuptuan qartë dhe hapur se të ashtuquajturat riparime në rrjet nuk janë gjë tjetër veçse shitje abuzive në masë të energjisë elektrike dhe mashtrim i hapur i qytetarëve e lënie e tyre në errësire në këto ditë të nxehta vere. “LSI-ja kishte denoncuar me forcë edhe më parë këtë mashtrim të vazhdueshëm, që binte në kurrizin jo vetëm të qytetarëve, por edhe të bizneseve të tyre, por qeveria shqiptare ashtu siç ka bërë vazhdimisht në këto vite, gënjeu dhe nuk pranoi këtë mashtrim që po u bënte qytetarëve shqiptarë”, - tha Kodra duke shtuar se “ndonëse vetë qeveria dhe KESH-i pranuan se gjashtëmujori i parë i këtij viti konsiderohet si një nga më të mirët për gjendjen hidrike dhe të baseneve të hidrocentraleve, prodhimi i energjisë elektrike në të kundërt ishte nën nivelin e viteve ku ka pasur krizë hidrike sipas të dhënave të raportuara nga vetë qeveria. Kjo provon haptazi pastaj abuzimin e vazhdueshëm me energjinë elektrike në kurriz të qytetarëve”. “Kjo situatë nuk mund të tolerohet më dhe shqiptarët përfundimisht e kanë të qartë se çdo premtim për drita dhe ujë 24 orë ishte dhe mbetet thjesht demagogji mashtruese dhe se kjo qeveri përpara interesave të pasurimit të saj i shpërfill dhe i përbuz qytetarët dhe hallet e tyre”, - përfundoi Kodra.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›