E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma zgjedhore; PD-PS, kontakte për draftin e ri

Përfaqësues nga të dyja krahët kanë mbajtur kontaktet gjatë muajit gusht, që në shtator të kenë gati propozimet për kodin e ri zgjedhor. Pritet të ndryshohet financimi i partive, organizimi i strukturave zgjedhore dhe shumë anë të tjera teknike që rregullojnë funksionimin e zgjedhjeve në bazë të ligjit të ri elektoral

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste janë duke u përgatitur për të nisur vrullshëm punën për reformën zgjedhore në muajin shtator. Pavarësisht se muaji gusht është muaji i pushimeve dhe ka pak aktivitete politike, kontaktet mes dy partive nuk kanë munguar. Burime të sigurta nga PD-ja e PS-ja konfirmuan se ekspertë të të dy partive kanë shkëmbyer mendime lidhur me disa çështje të rëndësishme të cilat presin të marrin zgjidhje qysh në fillim të muajit që vjen. Burimet saktësuan se vazhdon përpilimi i pjesës tjetër të ligjit të ri elektoral, me çështje që prekin formulimin e Komisionit të Qendror të Zgjedhjeve, të qendrave të votimit, të numërimit të votave etj. Njëkohësisht një çështje tjetër që pritet që të zbardhet po në muajin shtator është ajo e financimit të partive politike dhe të fushatave elektorale. Lidhur me këtë, ka disa propozime siç është ajo e vendosjes së një tavani të vlerës së financimit. Ky është një problem më vete për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo, sepse ligji ia lejon vetëm të kontrollojë çfarë deklarojnë partitë në KQZ, po nuk mund të verifikojë se sa i vërtetë është deklarimi. Deri më tani, lidhur me reformën janë hedhur në letër elementët e përgjithshëm të ligjit elektoral, por nuk janë prekur ende çështje që mund të sjellin debat. Komisionit i mbaroi mandati në fund të muajit korrik, por me vendim të Parlamentit afati i tij u shty për në muajin shtator. Në këtë mënyrë edhe pse kjo është koha e pushimeve, ku në ambientet e Kuvendit rrallë se gjen ndonjë deputet apo politikan, kontaktet nuk kanë munguar, çka siguron një punë të përbashkët të dy partive për të bërë ligjin e ri zgjedhor. Pak ditë më parë deputeti i PD-së Aldo Bumçi tha për mediat se bashkëpunimi për reformat e mëdha do të vazhdojë edhe më tej, duke pranuar se reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore nuk mund të bëhen pa vullnetin dhe votat e mazhorancës. Ato që mbeten skeptike mbi këtë bashkëpunim janë përherë partitë e vogla e sidomos ato të majta të cilat nuk e kanë parë asnjëherë me sy të mirë bashkëpunimin PD-PS për reformën zgjedhore. LSI-ja e ndjekur dhe nga PAD-ja e PDS-ja pretendojnë se PS-ja është duke bashkëpunuar në kurrizin e të vegjëlve me Partinë Demokratike. Për këtë ata përmendin ndryshimet në Kushtetutë që prekën thelbin e sistemit zgjedhor i cili u shndërrua nga miks në proporcional rajonal. Duke parë këtë lloj bashkimi votash, të vegjlit u tremben skenave të tjera që lidhen gjithnjë me reformën zgjedhore në të ardhmen.

PS-ja bën “kundërbilancin” e qeverisë

Partia Socialiste reagoi dje lidhur me deklarimet e Kryeministrit Berisha për analizën e qeverisjes në shtatë muajt e fundit. Nënsekretari i partisë për programin, ndër të paktët njerëz që janë gjendur dje në ambientet e selisë rozë, në mungesë të kreut të PS-së, mori në analizë të gjitha deklarimet e Kryeministrit duke i konsideruar ato të pavërteta. Lidhur me nivelin e korrupsionit, Beqja tha se qëndrimi i kreut të ekzekutivit është i pavërtetë, duke iu referuar këtu vlerësimit të organizmave ndërkombëtarë të specializuar sipas të cilëve korrupsioni në vend vazhdon të rritet. Ndërsa Kryeministri Berisha tha dje se ngjarja e Gërdecit po hetohet në detaj, sipas socialistëve Kryeministri është përgjegjësi kryesor i saj. Në lidhje me deklarimin e Berishës për nivelin e jetesës, punësimin dhe rritjen e pagave, Beqja shtoi se “Kryeministri nuk po arrin të kuptojë që mësuesit shqiptarë paguajnë 6-8 herë më shumë tatim mbi pagën se në korrik 2005, që mësuesit shqiptarë nuk e marrin më pagën e 13-të dhe që paga e tyre neto në tre vjet nuk është rritur më shumë se 40%”. Socialistët duket se nuk ndajnë të njëjtën mendim me Kryeministrin që ngjarja e Kosovës ishte e rëndësishme dhe historike për shqiptarët. Edhe në këtë pikë ata duket se nuk e pranojnë që diplomacia shqiptare është treguar e suksesshme lidhur me lobimin që ajo ka bërë në tre vitet e fundit për të arritur fillimisht në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj si shtet i pavarur. “Sot, në bilancin e arritjeve të tij në këta 7 muaj, Sali Berisha përfshiu me prepotencë edhe pavarësinë e Kosovës. Me po këtë prepotencë, por edhe me mendjelehtësinë prej aparatçiku të Luftës së Ftohtë, nuk do të çuditeshim nëse në 5-mujorin e ardhshëm të na fliste për çlirimin e Gjeorgjisë”, - theksloi Beqja. Kryeministri Berisha bëri një analizë edhe lidhur me shtatë muajt e fundit të qeverisjes së djathtë. Ndër të tjera ai theksoi si historike shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke falënderuar këtu në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Presidentin amerikan Xhorxh Bush.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›