E Diel, 1 Nëntor 2026

Ratifikimi i MSA-së, Gjermania do e ratifikojë në shtator



Gjermania ka premtuar se do të ratifikojë MSA-në me Shqipërinë në muajin shtator. Procesi i mbylljes së ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk ka përfunduar ende dhe kjo ka si shkak hezitimin e Greqisë dhe Gjermanisë. Gjermania ka bërë të ditur se kjo shtyrje është bërë për shkak të procedurave që ka vetë Parlamenti gjerman. Nga ana tjetër, ende nuk ka ndonjë sinjal në lidhje me ratifikimin e MSA-së nga ana e Greqisë. Gjithsesi ministrja e Integrimit është shprehur optimiste se brenda vjeshtës së këtij viti procesi i ratifikimit të MSA-së do të mbyllet, duke bërë që vendi të marrë statusin e kandidatit në vitin e ardhëm. “Me gjithë parashikimin tonë që Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit të përmbyllej brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ne do të kemi një mbyllje të plotë të procesit të ratifikimit të vendeve që kanë mbetur në periudhën e fillim-vjeshtës së po këtij viti. Të paktën këto janë premtimet me kancelaritë e vendeve që nuk e kanë ratifikuar ende marrëveshjen me Shqipërinë. Pra, nuk ka të shprehur asnjë lloj shqetësimi politik, apo asnjë lloj klime mosbesimi, apo le të themi, problematike, që të na jetë adresuar ne, palës shqiptare dhe që të na bëjë të pamundur ose vështirësojë ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me vendet që kanë mbetur”, - ka thënë Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›