PD ndërpret zgjedhjet në bazë
Demokratët kanë ndërprerë përkohësisht zgjedhjet brenda partisë, të cilat pritet të rifillojnë në muajin shtator. Shkak janë bërë pushimet e verës. Partia në pushtet prej disa muajsh është përfshirë nga zgjedhjet e reja brenda saj. Reformimi i kësaj partie ka nisur me bazën e PD-së dhe aktualisht ky proces ka përfunduar vetëm në disa prej nëndegëve të PD-së. Në një nga mbledhjet e kryesisë së PD-së, Kryeministri Sali Berisha informoi për reformë të thellë brenda partisë që ai drejton. Në bazë të udhëzimit të kryesisë, zgjedhjeve të reja do t’i nënshtrohen edhe ata krerë degësh që nuk kanë përfunduar mandatin. Është planifikuar që zgjedhjet në bazë të mbyllen deri në fund të vitit, ndërkohë që fillimi i vitit që vjen ka të bëjë me zgjedhjet në qendër. Pritet të ndryshojë i gjithë sekretariati i PD-së, ndërkohë që procesit të votimit në Kuvendin e ri të PD-së do t’i nënshtrohen edhe drejtuesit kryesorë të partisë, dy nënkryetarët dhe kryetari siç e parashikon dhe statuti i PD-së. Viti 2009, për demokratët është vit elektoral si për zgjedhjet e brendshme ashtu dhe për ato të përgjithshme. Ndaj ripërtëritja e strukturave të PD-së synon të shkojë në drejtim të fitores së një mandati të dytë qeverisës përmes zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të zhvillohen në qershor të vitit që vjen.