Gërdec, Xhuveli: uji eshte i ndotur
Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli ka pranuar sot se uji i Gërdecit është i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin. Ndërkohë që ai nuk ka pranuar se e gjithë zona në Gërdec është e pabanueshme për shkak të metaleve të rrezikshme të përhapura pas shëprthimit në të gjithë vendin.
Në një konferencë për 7-mujorin në ministrinë e mjedisit Xhuveli tha: “Uji rezulton me probleme në puse, por tani situata është njësoj si para shpërthimit. Edhe para shpërthimit uji i këtyre puseve nuk është përdorur për të pirë. Ai ujë në momentin e parë ka patur turbullira si rezultat i tronditjeve dhe më pas ka arritur si para shpërthimit”.
Sipas Xhuvelit ka një përputhshmëri midis analizave që kanë bërë institucionet tona me institucionet ndërkombëtare dhe e ndotur rezulton vetëm zona brenda kraterit.
Por toksikologët të cilët kanë bërë analiza në disa laboratorë kanë thënë se në Gërdec nuk mund të jetohet në gjendjen aktuale. Metalet e përhapura dhe predhat e aktivizuara ngelen rrezik konstant për të gjithë zonën dhe jo vetëm te krateri i shpërthimit.