Kurti: Shumë pika të shitjes së gazit në rrezik shpërthimi
Shitja në mënyrat më të këqija të mundshme i gazit të lëngët rrezikon çdo ditë qytetarët e ndryshëm në Shqipëri. Një rast shpërthimi në qendër të Korçës ka rikthyer sërish në vëmendje kushtet minimale të sigurisë. Ende në të gjithë vendin ka pika shitje ku në çdo çast mund të kemi shpërthime, kjo për shkak të temperaturave të larta, apo dhe pakujdesisë në shitjen e tyre. Vetë kryeinspektori i Inspektoratit Qendror Teknik, shprehet se ka shumë pika shitjeje sipas tij të paligjshme. Këtë përkufizim Ilir Kurti e përdor për të gjitha njësitë e shitjes ku nuk plotësohen kushtet teknike, ose për ato pika që nuk kanë qoftë dhe një nga lejet përkatëse. Sipas tij, veç lejeve që lëshon Inspektorati Qendror Teknik, pjesë të rëndësishme në licencimin e këtyre subjekteve kanë dhe njësitë vendore të qeverisjes. i pyetur për situatën aktuale në tregjet e pakicës, ai thotë se ende kemi probleme që rrezikojnë banorët e ndryshëm, më së shumti në qytete periferike.
Intervistë me Ilir Kurtin
Pati një shpërthim në një dyqan ne bombola gazi në Korçë. A keni arritur në përfundim se pse kjo ka ndodhur?
Ajo që mund të them është që aktiviteti ku ka ndodhur ky aksident në Korçë është aktivitet i paligjshëm, si shumë aktivitete të tjera që vazhdojnë e funksionojnë në territorin e Shqipërisë. Është një aktivitet që ka pasur dhe akte ndalimi nga inspektorati, por kryesisht përgjegjëse në këtë rast të këtij aktiviteti të paligjshëm janë komunat dhe bashkitë. Domethënë bashkia nuk duhet të lejojë hapjen e këtyre aktiviteteve pa u plotësuar disa kushte. Përsa i përket arsyes së ndodhjes së aksidentit, është akoma herët për të folur, por është 50 për qind e qëllimshme, 50 për qind është pakujdesia, ose moskompletimi me kushtet e nevojshme për të ushtruar këtë aktivitet.
Kur thoni aktivitet i paligjshëm çfarë nënkuptoni? Bëhet fjalë për ligje që nuk i zbaton pushteti lokal, apo ju si inspektorat?
Është një aktivitet i cili ushtrohet nga persona jo kompetentë, ushtrohet në kushte jo të sigurisë. Kushtet e sigurisë presupozojnë, për shembull në rastin e këtyre dyqaneve të shitjes, një hapësirë të përshtatshme, një instalim elektrik të përshtatshëm, një ndriçim të mbyllur, dhe një sërë kushtesh të tjera. Mbi të gjitha është i paligjshëm edhe sepse ato funksionojnë pa një dokument nga bashkia. Bashkia është e vetmja që mund të japi një autorizim për shitjen e bombolave me pakicë. Është ajo që i hap, ajo që i mbyll këto aktivitete.
Ju thatë që e keni kontrolluar dhe më parë dhe e keni penalizuar këtë aktivitet ku ndodhi aksidenti?
Jo në shitjen me pakicë. Ky ka një aktivitet të paligjshëm jashtë qytetit të Korçës, domethënë duke ushtruar në mënyrë të parregullt mbushjen e bombolave. Ka kontroll të qershorit të këtij viti, dhe akt kontroll.