E Diel, 1 Nëntor 2026

Asgjësohen dhjetëra ton mallra, në rrezik konsumatorët

Dhjetëra ton mallra ushqimore janë sekuestruar dhe asgjësuar pasi rrezikonin shëndetin e konsumatorëve. Aksionet e kryera në zona të ndryshme të vendit kanë sjellë dhe penalizime për subjektet e ndryshme tregtuese apo prodhuese. Kryesisht, më të kontrolluara për cilësinë e ushqimeve kanë qenë zonat turistike. Disa qindra kilogram mallra janë sekuestruar dhe asgjësuar gjatë muajve të verës pasi përbënin rrezik për konsumatorët. Aksionet e kryera në të gjitha qarqet e vendit tregojnë së konsumatorët fare lehtë mund të helmohen, apo të kenë probleme shëndetësore. Sipas drejtorisë së sigurisë Ushqimore, në të gjithë vendin janë kryer mijëra kontrolle në subjekte tregtuese prodhuese dhe restorante. Valbona Paluka, drejtoresha e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit thotë se fatmirësisht ka pasur vetëm disa raste helmimesh që sipas saj kanë ardhur nga pakujdesia e konsumatorëve. Sipas saj, rastet nuk janë shkaktuar nga ushqime të pakontrolluara. Para pak ditësh, disa dhjetëra persona, të ftuar në një dasëm u helmuan në rrethinat e Elbasanit.  Një rast tjetër i ngjashëm u regjistrua dhe në Lushnje, por dyshohet se prishja e ushqimeve u shkaktua nga mos ruajtja në ambiente frigoriferike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›