Protesta në Gërdec, Rama: Të mposhtim koalicionin e turpit
Opozita protestoi dje në trevjetorin e shpërthimit tragjik në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë
TIRANË Opozita protestoi dje në trevjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Nga krateri i Gërdecit, protestuesit hodhën parulla “Fajin e ka Saliu”, ndërsa zyrtarë të lartë të PS-së dhe drejtuesit e partive aleate u shprehën se ata nuk sprapsen nga protesta deri sa drejtësia të vendoset në vend. Kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se nuk duhen harruar 26 viktimat e Gërdecit dhe se e vetmja rrugë për t’i kujtuar është vazhdimi i betejës “për të mposhtur regjimin” "Ta vazhdojmë këtë betejë, më të vendosur se kurrë. Të mos harrojmë, të mos zmbrapsemi asnjë milimetër para vrasësve të regjimit që vrasin dhe na thonë vrasës, të vazhdojmë më të bashkuar se kurrë. Të mposhtim koalicionin e turpit që po i merr Shqipërisë trupin, frymën”,- tha Rama. Kryetari i opozitës kujtoi se nuk duhen harruar 26 viktimat e 15 marsit dhe se drejtësia për ta edhe pse e vonuar do të vijë një ditë. “U bënë 3 vjet nga kur 26 persona u vranë. Këto vite që kanë kaluar flasin për padrejtësinë si themel i shtetit që Saliu dhe oborri i kusarëve të tij ka ngritur dhe kërkon t’i blindojë për të sunduar pafundësisht shqiptarët. U vranë 26 njerëz të varfër, që shkonin çdo ditë për të bërë një punë të zezë, që nuk figuronin askund ashtu si ajo fabrikë që tronditi Shqipërinë dhe nxori nga toka vullkanin e një korrupsioni që vazhdon të vrasë shqiptarët”,- tha Rama. Ai shtoi gjithashtu se nuk ka përgjegjës as për vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, për vrasjen e kryekomunarit Remzi Veseli, ndërsa shtoi se ka përgjegjës për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevard. ”Gjithkush di të thotë kush i vrau 4 shqiptarë në bulevardin e kombit. Të gjithë e dinë se dora që u ngrit me forcën e zjarrit ishte dora e regjimit të kusarisë”, shtoi ai. Kryetari i opozitës theksoi se Partia Socialiste është forca për të çuar këtë vend përpara. Në protestën e djeshme, ku morën pjesë edhe familjarët e viktimave, folën edhe drejtuesit e partive aleate. Kryetari i PSD-së, Paskal Milo, në emër të opozitës së bashkuar deklaroi se 26 persona të pafajshëm u vranë nga regjimi vrastar dhe askush nuk po mban përgjegjësi. Ndërsa deputeti i PS-së, Namik Dokle, deklaroi se qeveria duhet rrëzuar me “votën tonë në lule të ballit kundër qeverisë vrastare”.