E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, pastrohen 20 hektarë tokë

Puna për pastrimin e zonës së Gërdecit ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme. Ministria e Brendshme bëri të ditur të mërkurën se në zonat e prekura nga tragjedia e 15 marsit në Gërdec të Bashkisë Vorë, vazhdon puna për pastrimin e tyre. Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Brendshme thuhet se në zonën e emergjencës, dje kanë operuar gjithsej 429 efektiva, nga të cilat 50 forca kërkimi, 69 forca sigurie dhe 311 forca mbështetëse. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme, bashkë me këto forca, po operojnë edhe 24 danezë të DCA-së dhe 13 xhenierë të TMK-së, si dhe 68 mjete, ku në këtë numër kanë operuar 4 mjete të TMK-së, 3 të Policisë së Shtetit dhe 1 mjet danez. Operacionet u përqendruan edhe në kërkimin e një personi të deklaruar të humbur nga familjarët, por ende nuk është gjetur ndonjë trup viktime. Ndërkohë, nga grupi i emergjencës ka vazhduar krehja e zonës për gjetjen dhe grumbullimin e predhave, për kontrollin e banesave, për certifikimin e tyre, për shtrimin e rrugëve me çakëll. "Lidhur me gjetjen dhe grumbullimin e predhave, u rikontrollua një sipërfaqe prej 51 hektarësh, u pastruan 20 prej tyre, u grumbulluan 106 predha të paplasura, 220 djegore, 300 kapsolla dhe gëzhoja, 5 kg barut në qese, si dhe u kontrolluan dhe u certifikuan 55 shtëpi", deklaroi Ministria e Brendshme. Gjithashtu, ky dikaster shpjegoi se transportuan 60 metër-kub çakëll për shtrim rruge dhe u ruluan 600 metër-katror rrugë. Gjithashtu, u shkarkuan dhe u magazinuan 5 tonë ndihma, si dhe u transportuan e u shpërndanë 7 tonë ndihma ushqimore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›