"Jo mocion, Berisha blen deputetët"
Trafiku i armëve shkon paralel me trafikun e deputetëve. Ky ishte konstatimi i djeshëm i kreut të socialdemokratëve, Skënder Gjinushit. Sipas tij është joproduktive një nismë për mocion ndaj Kryeministrit, sepse ajo kërcënohet nga blerja e votave. Kreu i PSD-së premtoi se mbështetësit e partisë së tij do të jenë në manifestimin dhe protestën popullore të së premtes. "Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë do t‘i thonë të premten "Po" NATO-s, "Jo" Berishës dhe qeverisë së tij", tha Gjinushi. Ai konstatoi se kreu i qeverisë është ftuar të largohet nga posti, ndaj nuk mund të tallet më me forma formale juridike. "Nuk mund të fshihet pas një shumice, e cila jo më larg se dje e ka pranuar dështimin e gjitha ministrive e nuk mund ta kuptoj se si dështojnë të gjitha ministritë dhe qeveria të quhet e suksesshme dhe Kryeministri kërkon të qëndrojë akoma", nënvizoi Gjinushi. Berisha, shtoi ai, nuk mund të sfidojë opozitën me mocione, duke blerë votat e deputetëve, pasi një trafikant nuk e ka vështirë të sigurojë një shumicë formale. "Aq më tepër që kjo u sigurua edhe për zgjedhjen e Presidentit, çka ka treguar që trafiku i armëve shkon paralel me trafikun e deputetëve", insistoi Gjinushi. Kjo, vijoi ai, tregon qartë që Kryeministri është kthyer në një klan mafioz, prandaj dhe sfidon opinionin publik. "Mocionin numër 1 ta bën populli, ta bën populli i Gërdecit, e bëjnë 25 të vrarët, 300 të gjymtuarit dhe 300 të pastrehët. Nëse ju doni që të drejtoheni akoma nga Sali Gërdeci, ne nuk e pranojmë një gjë të tillë", argumentoi Gjinushi. Sakaq, duke u ndalur te samiti i NATO-s, ai tha se Shqipëria e ka marrë ftesën për në NATO që në 1999, kur mbështeti ndërhyrjen e forcave aleate në Kosovë. "Kur territori i Shqipërisë dhe tërë trevat shqiptare u kthyen në bazën më të sigurt të NATO-s në rajon për çlirimin e Kosovës; ajo e ka marrë ftesën kur ushtarët tanë u bënë pjesë e forcave paqeruajtëse kudo në botë përkrah forcave aleate", tha Gjinushi. Këtë proces, nënvizoi ai, nuk mund ta ndalin dështimet, papërgjegjshmëria dhe trafiqet e qeverisë aktuale. "Ato vetëm prishin entuziazmin dhe imazhin e kësaj ftese të mirëpritur, kjo është merita e vetme e kësaj qeverie", vlerësoi Gjinushi. Ai gjeti rastin të shprehë keqardhje, sidomos për ushtrinë shqiptare, e cila këtë moment historik, ftesën për në NATO, e pret me këtë njollë të turpshme, masakrën e Gërdecit, të shkaktuar nga korrupsioni qeveritar. "Kjo ushtri që prej vitesh merr pjesë në ruajtjen dhe vendosjen e paqes në rajonet më të nxehta të globit, shkakton vdekjen dhe gjymtimin e qindra shqiptarëve me armët e saj në mes të Tiranës. Këto janë sukseset e qeverisë së Berishës, e cila duhet të largohet", theksoi Gjinushi. Sipas tij, deputetët e shumicës pranojnë dështimin e qeverisë, vetëm se ata pranojnë dështimin e tërë ministrive, kërkojnë ndryshimin e tyre, por jo të Kryeministrit. "Pasi kanë hall për të zënë ndonjë post për vete, ndërsa ne kërkojmë largimin e shkaktarit dhe përgjegjësit kryesor, të Kryeministrit aktual", u shpreh kreu socialdemokrat.