E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistri kombëtar, Austria i ofron ndihmë Shqipërisë

Austria do të ofrojë ndihmë për regjistrin kombëtar shqiptar të gjendjes civile. Kështu ka deklaruar Ministria e Brendshme, pas një takimi që ka pasur mes përfaqësuesve të dy palëve. Burimet zyrtare thanë se zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, priti në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile të Austrisë, Osvald Kesler. Takimi u zhvillua me qëllim konkretizimin e termave të bashkëpunimit dhe kalendarit të punës për zhvillimin e software-it të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Zv.ministri Poni bëri një panoramë të përgjithshme të ecurisë së projektit për modernizimin e shërbimit të gjendjes civile në kuadër të projektit me BE dhe OSBE. Poni theksoi vullnetin e Ministrisë së Brendshme dhe të qeverisë shqiptare për garantimin e standardeve evropiane në konceptimin dhe realizimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile të Austrisë, Osvald Kesler, shprehu gatishmërinë për të ofruar variantin austriak për ndërtimin e software-it të regjistrit kombëtar të gjendjes civile dhe mënyrën e komunikimit të regjistrit me bazat e tjera të të dhënave dhe me të gjitha zyrat e gjendjes civile në Shqipëri. Kesler prezantoi në takim një plan të detajuar të implementimit të projektit. Përfundimi i këtij komponenti të projektit do të jetë në përputhje me të gjithë axhendën e integruar të projekteve të Ministrisë së Brendshme në këtë fushë. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe të mirëkuptimit reciprok.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›