E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ankohet te "New York Times"

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Adrian Neritani, ka sqaruar pozicionin e shtetit tonë në raport me investigimin e kryer prej gazetës prestigjioze "New York Times". Përmes një letre zyrtare ai u komunikon drejtuesve të kësaj të përditshmeje amerikane qëndrimin e palës shqiptare sa i takon tregtisë së armëve. Objekti i letrës ka të bëjë konkretisht me artikullin e disa ditëve më parë për skandalin e trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. "Qeveria shqiptare po lufton korrupsionin dhe është e angazhuar të ndihmojë NATO-n në Afganistan", siguron Neritani. Sipas tij, kjo është arsyeja që kemi nisur hetimet për korrupsion në ndërmarrjen e eksport-importit të armëve dhe për akuzat se Shqipëria ka shitur municione jashtë cilësisë për forcat afgane", shkruan Neritani. Ai gjen rastin të shprehë habi për publikimin e akuzave të pabazuara për korrupsion. "Prova e vetme është një bisedë sekrete e regjistruar mes dy tregtarëve të armëve, burimi i së cilës është vështirë të besohet", shprehet Neritani. Ndërsa hedh poshtë akuzat e bisedës së përgjuar, pjesë e citimeve të përdorura në shkrim. Në vlerësimin e Neritanit, as Kryeministri dhe as i biri nuk janë përfshirë në këtë çështje. "Ne jemi të angazhuar për përkrahjen e lirisë dhe demokracisë në botë. Kemi forca speciale në Afganistan dhe jemi gati të dërgojmë më shumë trupa", premton Neritani. Ndërsa u referohet akuzave se armatimet nuk ishin sipas standardeve, praktika, sipas Neritanit, tregon se blerësi mban përgjegjësi për testimin dhe kontrollin e cilësisë së tyre. Qeveria shqiptare, sipas ambasadorit, është e interesuar për transparencë dhe të gjitha dokumentet për këtë çështje dhe përfundimet e hetimit do bëhen të ditura publikisht. "Kemi besimin se akuzat do të rezultojnë të gjitha të pabazuara", shkruan Neritani. Letra ka gjetur pasqyrim korrekt në faqet e gazetës "New York Times", duke i dhënë mundësi përfaqësuesit tonë në OKB të paraqesë pretendimet në fjalë. Ky hap i diplomacisë shqiptare ndërmerret vetëm pak ditë pasi kjo gazetë publikoi një investigim për trafikun e armëve. Zbulimi kishte të bënte me shumë vende mes të cilave edhe Shqipëria, nga ishin marrë fishekë jashtë cilësisë, për t‘u dërguar më pas në Afganistan. Në shkrim pretendohej se pala shqiptare bashkë me kompaninë AEY dhe "Evdin" kishin abuzuar me fondet e taksapaguesve amerikanë. Këta të fundit përmes pentagonit kishin dhënë një kontratë AEY-së së drejtuar nga Efraim Diveroli në shumën prej 300 milionë dollarësh me qëllim furnizimin e ushtrisë afgane me municione dhe armë. Përmes një kompanie fantazmë me qendër në Qipro manipulohej çmimi dhe nga 22 dollarë që i paguheshin palës shqiptare për 1 mijë fishekë, firma "Evdin" ia shiste si ndërmjetës firmës AEY me 40 dollarë të njëjtën sasi fishekësh. Diferenca aludohej në shkrimin e "New York Times", ndahej mes drejtuesve të kompanisë shqiptare të import-eksportit të armëve "Meico" dhe ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Një tjetër element kishte të bënte me faktin se fishekët e marrë nga Shqipëria, ndryshe nga sa parashikon ligji amerikan ishin prodhim kinez. Në atë çka ka botuar prestigjiozja amerikane, në bisedën mes Efraim Diverolit dhe biznesmenit Kosta Trebicka përmendet fakti se "mafia" ka mbërritur lart deri te Kryeministri dhe djali i tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›