Rama në Rubik e Marlecaj të Torovicës
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje turin "Dialog me Shqipërinë", ku në qendër të tij është Siguria e Jetesës. Gjatë takimeve të zhvilluara me banorët e qytetit të Rubikut, si dhe në Komunën Marlecaj të Torovicës, Rama dhe drejtuesit e lartë socialistë që e shoqëronin kanë parë nga afër varfërinë ekstreme të jetesës së banorëve të këtyre zonave. Në Komunën Marlecaj, kryetari i PSSH është ndalur edhe në të ashtuquajturën shtëpi; ku një familje e kishte shndërruar një ish-birucë të kampit të përqendrimit në strehën e saj. "Kjo është koha për të kuptuar, në rast se duam të shpëtojmë nga kthetrat e këtij fataliteti 17-vjeçar, që nuk është fatalitet, por është rezultat i një politike të vjetër të papërgjegjshmërisë", u shpreh Rama. Kjo politikë sipas tij është e vjetër, tërësisht e paaftë për të zgjidhur problemet tona, e korruptuar deri në palcë. "Duhet t‘i japim jetë një bashkimi të ri, ku socialistë dhe demokratë të thjeshtë duhet të mendohen në radhë të parë si qytetarët e Shqipërisë", kërkoi Rama. Ai premtoi se me socialistët do mund të bëhen të mundura gjërat, që sot duken tërësisht të pamundura. "Ne duhet të ndryshojmë marrëdhëniet mes atyre që votojnë dhe atyre që votohen, duke e kthyer politikën në pasion të përbashkët dhe duke mos e lënë politikën në duart e një grupi të vogël njerëzish", nënvizoi Rama. Sipas tij, midis kësaj pamjeje që të gjithë bashkë duam ta kthejmë në një realitet të përditshëm dhe nesh, sot këtu, qëndron politika e vjetër. Kreu socialist u ndal te politika e vjetër e mishëruar në qeverinë e sotme, e mishëruar në shëmbëlltyrën e Kryeministrit të sotëm, e mishëruar në aktet dramatike që luhen çdo ditë, ndërsa konstatoi edhe faktin se bomba pa shpërthim edhe pa zë plasin çdo ditë në Shqipëri.