E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, rikthehet energjia në 40% të zonës

• KESH ka mundur që të rikthejë energjinë elektrike në 40 për qind të zonës së Gërdecit.

Si pasojë e shpërthimit tragjik të municioneve të ndodhur pak ditë më parë, e gjithë kjo zonë kishte mbetur pa energji elektrike. Por vetëm dje kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ka deklaruar se energjia është rikthyer në 40 për qind të zonës së dëmtuar. Një gjë e tillë është bërë e mundur pas vënies në punë të tre kabinave. Ndërkohë që punimet për rehabilitimin e plotë të rrjetit të shpërndarjes dhe nënstacionit të Vorës, të dëmtuara nga shpërthimi kapin vlerën e 30 milionë lekëve. Punimet e nisura prej disa ditësh u inspektuan dje nga drejtori i Përgjithshëm i Korporatës, Gjergj Bojaxhi. Rehabilitimi i rrjetit elektrik përfshin bazën materiale të shtyllave, kabllove elektrike, kabinave të reja, matësve të energjisë elektrike dhe 2 transformatorëve për nënstacionin e Vorës dhe do të përfshijnë të gjithë zonën e goditur nga shpërthimi. Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, tha se punimet nga ana e KESH-it do të kryhen brenda zonës së lejuar dhe se pjesa e mbetur e shtëpive do të marrin energji elektrike brenda përfundimit të këtij muaji. Nga shpërthimi i municioneve i ndodhur pak ditë më parë në Gërdec, janë dëmtuar me mijëra banesa, ku shumë prej tyre janë shkatërruar tërësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›